Kurti në homazhet për viktimat në Izbicë: Gjaku i tyre ndodhet në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë

Pas homazheve te familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vazhdoi rrugën për në fshatin Izbicë të Komunës së Skenderajt, për të përkujtuar 147 viktimat e vrara nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, gjashtë prej të cilëve janë ende të zhdukur. Së bashku me Rifat Jasharin, ai nderoi të vrarët në masakrën e Izbicës.  

Pranë Memorialit, Kryeministri Kurti tha se plagët e kësaj masakre nuk mund të mbyllen përderisa kriminelët nuk janë në burg. Gjaku i tyre ndodhet në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë, tha ai. 

“Nuk u kursyen as gratë, as fëmijët e as pleqtë. Në fakt këta edhe qëllimisht u synuan e u qëlluan, sepse Serbia me operacionin “Patkoi” synonte shfarosjen e shqiptarëve dhe zbatimin e projektit të saj gjenocidal kundër nesh”, u shpreh ai. Me keqardhje, tha ai, për gjithë këtë masakër, ku janë vrarë 147 shqiptarë, vetëm një person është arrestuar. 

“Prokuroria e Shtetit e ka mundësinë për të përndjekur, e sistemi i drejtësisë në përgjithësi, edhe për të gjykuar në mungesë. Besoj që është e padrejtë, e padurueshme, që për masakrën e Izbicës është arrestuar vetëm një person, meqenëse kanë të drejtë të gjykojnë në mungesë”, tha kryeministri. 

Ai përsëriti se Prokuroria e Shtetit e ka mbështetjen e plotë, të parezervë e të pa kursim të Qeverisë së Republikës, që kriminelët e luftës që na i vranë gratë, fëmijët e pleqtë të cilët e donin tokën dhe lirinë e vetë, të jenë prapa grilave, në mënyrë që të kemi drejtësi dhe dalëngadalë të na mbyllen plagët. 

Të pranishëm në homazhet në Izbicë ishin edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zëvendësministri i Punëve të brendshme, Bardhyl Dobra dhe zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Mevlud Sinani. /Kosova.info/

Go to TOP