Kurti: Marrëveshja përfundimtare do arrihet deri në mars të vitit të ardhshëm

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ende nuk ka marrëveshje me Serbinë, duke iu thënë deputetëve se do vij në kuvend, para marrëveshjes.

“S’ka marrëveshje. Bëhet fjalë për propozim të BE-së, marrëveshje nuk ka pa neve, e unë jam kryeministër që vij tek ju, para marrëveshjes”, tha Kurti.
Kurti tha se edhe 33 marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, duhet të shqyrtohen.

“Ka propozim, si bazë e mirë për diskutim, dhe natyrisht se aty mandej përmenden marrëveshjet e kaluar të Brukselit, por ato përmenden si konsideratë edhe në propozimin që e kam dhënë unë për kornizën e përgjithshme për marrëveshje, me datën 18 gusht. Unë nuk dua të mohoj se janë bërë 33 marrëveshje, por unë nuk i kam nënshkruar, duhet t’i shqyrtojmë, dhe barra e provës është tek ai që i don ato marrëveshje, jo tek ne”.

Tutje ai tha se asociacioni i komunave serbe nuk është zgjidhja.

“Kur shtrohet çështja e pakicave kombëtare, le të thotë Beogradi se kjo zgjidhet me asociacion, por nuk mendoj se kjo zgjidhet me asociacion. Mbase edhe kështu do të thotë Beogradi, por pastaj edhe unë e them fjalën time”, tha Kurti.

Krejt në fund, Kurti përsëriti bindjen se BE dhe SHBA kanë në plan që marrëveshja përfundimtare të arrihet deri në mars të vitit të ardhshëm.

“Sa i përket kohës, në paragrafin e katërt të deklaratës së 23 nëntorit të zotit Borrell, thuhet se ‘në ditët në vijim do t’i ftojë palët që të diskutohet për hapat e ardhshëm brenda kornizës së propozimit, me qëllim që t’i prezantojmë rezultatet, para takimi të grupit special për normalizim me Kosovën dhe të rejave të takimit të ardhshëm për kapitullin 35 për Serbinë. Kjo përkthehet pranvera e vitit të ardhshëm, nuk mund të jetë ndryshe, sepse në ftesën që na është bërë neve, ka qenë marsi i vitit 2023. Vetë BE dhe SHBA duan dinamikë të re”, tha Kurti.

Go to TOP