Kurti kujton të vrarët e familjes Vejsa në Gjakovë: Derisa nuk ka drejtësi, plagët vazhdojnë të kullojnë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar të vrarët në shtëpinë e familjes Vejsa në Gjakovë, duke i falënderuar ata që po mbahen të fortë dhe po e inkurajojnë popullin të qëndroj por edhe në të njëjtën kohë të dëshmojë për krimet mizore që janë kryer nga forcat e Serbisë në pranverë të vitit 1999.

Kurti tha se vrasje e fëmijëve dhe foshnjave, pleqve e plakave, grave dhe e civilëve të pambrojtur në shtëpitë e tyre e më pas djegia e kufomave, sipas Kurtit, është dëshmi e gjenocidit të Serbisë për të cilën tha se u përpoq ta shfarosë popullin shqiptar.

“Për këtë rast është dënuar shefi i Sigurisë Publike të Serbisë, gjenerali Vllastimir Gjorgjeviq, njëherë me 27 vjet burg, e më pastaj ia kanë zbritur në Tribunal të Hagës në 18 vjet burg, mirëpo ai ka qenë një urdhërdhënës, i cili ka qenë dora e djathtë e Millosheviqit në këtë operacionin ‘Patkoi’”.

“Mirëpo, ekzekutorët e tjerë janë me dhjetëra, janë me qindra edhe ata do të duhej të përgjigjeshin para drejtësisë. Fillimisht në vitin 2019, e më pastaj edhe në vitin 2022 me Kodin e Procedurës Penale dhe plotësim-ndryshimin, ne e kemi mundësuar që kriminelët të përndjekjen, të gjykohen, të dënohen edhe në mungesë”, shkroi Kurti.

Më tej, kreu i qeverisë tha se është jetike që përderisa janë dëshmitë dhe dëshmitarët e gjallë, me urgjencë të adresohen krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë në mënyrë që sipas tij, plagët të mbyllen me drejtësi.

“Përderisa nuk ka drejtësi edhe plagët vazhdojnë të kullojnë. Nga ne e keni gjithë solidaritetin institucional e njerëzor, e qytetar, e kombëtar dhe juve ju faleminderit. Shprehim mirënjohjen e thellë si dhe përkulemi para sakrificës së martirëve dhe dëshmorëve të kombit. Të gjithë atyre u qoftë lavdi”, tha ai.

Go to TOP