Kurti kujton të rënët e Çabratit: Sa shumë gjak kemi derdhur, sa nevojë kemi për të mbyllur plagët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Betejën e Çabratit ku nga data 7 deri me 11 maj 1999 u vranë 107 civilë nga forcat serbe.

Kurti ka përmendur emrat e dëshmorëve të rënë në betejë, teksa ka rikujtuar suksesin e flijimin e UÇK-së.

“Në historinë e Gjakovës dhe të Kosovës, përveç këtyre martirëve, duke i mbrojtur ata dhe vendin e tyre, në betejën e Çabratit ranë dëshmorë: Ahmet Gjikolli, Bujar Roka, Tom Gjoka, Kushtrim Hoxha, Dashmir Krasniqi, Visar Juniku, Sefedin Xërxa, Hamëz Zymberi, Agim Haxhiavdyli, Yllka Domi, Ilir Berisha, Taulant Nura, Ali Hoxha dhe Hazir Këpuska”.

“Gjakova është një prej qyteteve që ka dhënë e përjetuar shumë. Në vazhdën e dhimbjeve të përjetuara, në Çabrat e në rrethinat e qytetit prej datës 7 maj e deri më 11 maj kishte luftime të ashpra. Nga qytetarët u përjetua një dhunë intensive shtetërore e forcave të Serbisë kundër civilëve shqiptarë. Më shumë se 300 burra e gra u paraburgosën duke u marrë nga rrugët e nga shtëpitë e tyre në Gjakovë në këtë periudhë”.

Mes tjerash, Kurti thotë teksa sot bëhen 23 vjet nga kjo betejë, që në këto javë pranvere na përkujton se sa shumë kemi përjetuar e qëndruar si popull.

“Burrat u ndanë nga gratë e fëmijët dhe u çuan në lagjen Mulla Jusuf, ku u ndanë në dy grupe dhe u ekzekutuan. Rreth 50 civilë u vranë, e afër 50 të tjerë u rrëmbyen dhe zhdukën pa gjurmë. Ushtarë të UÇK-së, të cilët po mbronin civilët, gjithashtu ranë dëshmorë në këto luftime. Sot bëhen 23 vjet nga kjo betejë, që në këto javë pranvere na përkujton se sa shumë kemi përjetuar e qëndruar si popull. Sa shumë gjak kemi derdhur, e sa nevojë kemi për të mbyllur plagët e së shkuarës” ka shkruar Kurti në Facebook.

Go to TOP