Kurti-Hamza drejt koordinimit për marrëveshjet ndërkombëtare dhe zgjedhjen e Presidentit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar Kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për bashkëpunimin në Kuvend gjatë votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare duke e vlerësuar këtë si hap të rëndësishëm drejt konsensusit për çështje me interes shtetëror.
Nga ana e tij, Hamza ka shprehur gatishmërinë për koordinim parlamentar në tema që prekin interesin shtetëror dhe kombëtar duke theksuar rëndësinë e dialogut konstruktiv mes pozitës dhe opozitës.
Në takim u diskutua për zhvillimet politike në vend dhe më gjerë, si dhe për nevojën e hapjes së një kapitulli të ri komunikimi ndërmjet qeverisë dhe opozitës, në funksion të forcimit të pluralizmit partiak dhe demokratik në vend.
Temë e veçantë e bisedës ishte edhe zgjedhja e Presidentit të Republikës, për të cilën kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë sipas afateve kushtetuese. U theksua se për një votim të suksesshëm kërkohen së paku dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit, çka e bën të domosdoshëm bashkëpunimin ndërpartiak.
Ndërkohë, është bërë e ditur se Kryeministri Kurti nesër do të zhvillojë takim edhe me Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në kuadër të konsultimeve për çështjet aktuale politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit. /Kosova.info/
