Berisha ironizon opozitën për presidentin: Sillen si beqare të dëshpëruara, zero plan e zero peshë

Avokati Besnik Berisha ka reaguar me tone ironike ndaj deklarimeve të opozitës lidhur me gatishmërinë për dialog për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Përmes një reagimi publik, Berisha e krahasoi opozitën me “zonjat që u ka ikur treni i martesës” dhe që, sipas tij, dalin me njoftime publike për lidhje serioze pa i kërkuar askush.

“Opozita sot më kujton ato zonjat që u ka ikur treni i martesës, e tash dalin publikisht: ‘Jam e hapur për lidhje serioze’. Askush s’po i pyet, askush s’po i kërkon, ama ato insistojnë me njoftime”, ka shkruar ai.

Sipas Berishës, deklaratat e opozitës se janë të gatshme për dialog për presidentin nuk kanë peshë reale politike. Ai thekson se aktualisht kryeministri Albin Kurti nuk është në pozicion negociues, por në pritje.

“Albini s’po negocion, Albini s’po lutet, Albini thjesht pret sepse kur je i fortë, të tjerët vijnë vetë me ‘gatishmëri’”, shprehet Berisha.

Ai e cilëson opozitën si të mbushur me dëshirë dhe deklarata, por pa plan konkret, pa peshë dhe pa autoritet politik duke e konsideruar situatën “qesharake për ta, por tragjike për shtetin”.

Debati për zgjedhjen e presidentit pritet të intensifikohet në javët në vijim, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë një qasje të re mes pozitës dhe opozitës për këtë proces të rëndësishëm institucional. /Kosova.info/


Go to TOP