Kurti dhe Gawkowski diskutojnë bashkëpunimin digjital dhe kibernetik mes Kosovës dhe Polonisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i Polonisë, Krzysztof Gawkowski njëherësh ministër i Çështjeve Digjitale, zhvilluan sot takim bilateral, gjatë të cilit diskutuan për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe potencialin që sektori i Teknologjisë paraqet për thellimin e tyre dhe përfitimin e dyanshëm.

Me këtë rast, kryeministri Kurti ndau me zëvendëskryeministrin Gawkowski përparësitë që vendi ynë ofron në këtë sektor dhe ofertën që paraqet për kompanitë dhe investitorë nga Polonia. 

Gjatë takimit u theksua vullneti për të bashkëpunuar në fushën e digjitalizimit dhe të sigurisë kibernetike. Zëvendëskryeministri Gawkowski e përgëzoi Kosovën për vëmendjen dhe investimet në këto dy fusha. 

Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Gawkowski diskutuan edhe për përgatitjet dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve gjatë Presidencës polake të Këshillit të Bashkimit Evropian në pjesën e parë të vitit 2025. /Kosova.info/

Go to TOP