Kurti: Aktakuza për shpërthimin në Ibër–Lepenc dëshmon përfshirjen e strukturave ilegale serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale më 8 dhjetor 2025, lidhur me shpërthimin terrorist në kanalin Ibër–Lepenc të ndodhur më 29 nëntor 2024. Sipas Kurtit, procesi hetimor, i zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe agjencive partnerëve ndërkombëtare, përfshirë FBI-në, ka rezultuar në identifikimin dhe akuzimin e tre personave të dyshuar.

Kurti rikujtoi se që në konferencën e jashtëzakonshme të mbajtur pak orë pas sulmit kishte deklaruar, bazuar në të dhënat e inteligjencës, se sulmi vinte nga Serbia. Sipas tij, hetimi tashmë ka siguruar prova që tregojnë se tre të akuzuarit ishin fizikisht në vendin e ngjarjes natën kritike, dhe se ata janë pjesë e strukturave ilegale serbe të lidhura me rrjetet kriminalo-terroriste të Millan Radoiçiqit dhe elementëve tjerë shtetërorë të Serbisë.

“Informacionet e inteligjencës tregojnë qartë se të akuzuarit kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë dhe të përfshirë në realizimin e sulmit,” u shpreh Kurti duke shtuar se procesi gjyqësor do të vërtetojë pa mëdyshje këto gjetje.

Ai kritikoi Beogradin zyrtar për mohimin e përgjegjësisë dhe përfshirjen në fushata dezinformuese që synuan të krijonin mjegull rreth motivit dhe autorëve të sulmit. Sipas tij, aktakuza tashmë vërteton përfundimisht qëndrimet e institucioneve të Kosovës, të cilat ai i kishte prezantuar edhe në adresimet publike të datave 29 nëntor dhe 24 dhjetor 2024.

Kryeministri theksoi se Kosova mbetet e palëkundur në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe se terrorizmi, pavarësisht nga forma dhe burimi, nuk do të kalojë pa u ndëshkuar.

“Rasti i fundit dëshmon se terrorizmi nuk kalon pa pasoja dhe se dezinformimi nuk mund të fshihet apo t’i shmanget hetimit profesional,” tha Kurti duke falënderuar institucionet vendore të sigurisë, partnerët ndërkombëtarë, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara dhe qytetarët për kontributin në përpjekjet e përbashkëta për një Kosovë më të sigurt, të qëndrueshme dhe demokratike. /Kosova.info/


Go to TOP