Kurrë n’Kosovë s’do të ndalet kënga!

Të shtunën e kaluar, në 16 vjetorin e ri-shpalljes së Pavarësisë së Kosovës apo siq unë e parapëlqejë të quaj, të njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, më 17.02.2024, nën organizimin e z. Florim Lumi, me moton “Të festojmë së bashku”, në Ristorante Pizzeria “LA PAESANA FOR FAMILY” në Volpago (TV-Itali) u mbajt mbrëmje e zjarrtë festive me rapsodët e mirënjohur të “Bijtë e Bajram Bajes & Zenel Zekolli”. 

Pavarësia e Kosovës, ngjarja më e madhe e shekullit për shqiptarët 

Kjo mbrëmje e hareshme dhe festive fillojë me këngë patriotike nga repertori Rapsodëve Popullor, për të vazhduar me një fjalë përshëndetëse të publicistit Florim Zeqa, i cili në fillim i përshëndeti të gjithë bashkatdhetarët për pjesëmarrjen në këtë eveniment festiv, duke ua uruar 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shtetit të dytë shqiptar në Ballkan.

Një përshëndetje të veçantë, publicisti Zeqa e bëri për rapsodët e mirënjohur, Të bijtë e Bajram Bajes & Zenel Zekolli, për organizatorin Florim Lumi dhe për Avokaten e parë shqiptare në Itali, zonjushën Ermira Zhuri.

Pavarësia e Kosovës është rezultat i sakrificave të gjata shekullore, është rezultat i bashkërendimit të forcave intelektuale dhe ushtarake, është bashkërendim i pendës dhe pushkës.

Pavarësia e Kosovës është e arritura më e madhe e shekullit. Andaj, e kemi për obligim ta ruajmë dhe forcojmë, zhvillojmë dhe çojmë përpara amanetin e dëshmorëve për bashkimin e trojeve tona etnike në një shtet të përbashkët shqiptarë.

Publicisti Zeqa bëri thirrje për unitet dhe pajtim kombëtar çfarë e kishim përgjatë viteve të krenarisë kombëtare dhe periudhës së lavdishme të luftës çlirimtare.

Më pas, të pranishmit i përshëndeti rapsodi popullor, Komandanti i Batalionit, njëherësh edhe Komandant i Kazermës “Besim Ndrecaj” në Therandë, Gjenerali Zenel Zekolli, i cili ndër të tjera tha, “Partitë politike shkojnë e vijnë, kombi është një dhe i përjetshëm. Andaj, ju mërgimtarët nuk guxoni të ndaheni dhe përçaheni për parti politike. Politikanët nuk e kanë hallin e juve në mërgim, ata ju shfrytëzojnë vetëm për vota në prag të fushatave zgjedhore”.

Prekëse ishin rrëfimet e komandantit Zenel Zekolli për momentet e përjetuara gjatë luftës së lavdishme çlirimtare. 

Mbrëmje e zjarrtë festive 

Pas fjalëve përshëndetëse dhe momenteve emocionale, fillon pjesa më e hareshme e kësaj mbrëmje festive me këngë të përzgjedhura nga repertori rapsodëve popullor në frymën e pastër kombëtare jashtë kornizave partiake.

Këngë pas kënge, valle pas valleje dhe këndimi të përbashkët, vjen edhe momenti kulmor i prerjes së Tortës së Pavarësisë, përgatitur nga organizatori Florim Lumi

Më pas u vazhdua me këngë të përzgjedhura patriotike nga rapsodët popullor deri në orët e hershme të mëngjesit të datës 18 Shkurt, duke e krijuar një atmosferë të zjarrtë festive!

Duhet cekur, se për zërimin u përkujdes “DJ ALBI” me teknologjinë e fundit audio-fonike, duke e ngritur në nivelin më të lartë atmosferën festive.

Në mesin e shumë mërgimtarëve, prezent në këtë mbrëmje festive ishin edhe këto personalitete: Hasan Shala (veprimtar), Fadil Bajraktari (veprimtar dhe organizator i turnirëve në Futboll të Vogël, Lindita Idrizaj (veprimtare), Qamil Kroni (Komandant i Policisë në Prizren), Arben Bajrami (aktivist), biznesmen dhe afarist të dalluar, mysafir nga Bolzano dhe numër i madh i ish ushtarëve të UÇK-së me qëndrim në Itali. 

Në fund, ia vlen për të përshëndetur nikoqirin, pronarin e lokalit Restorante Pizzeria “LA PAESANA FOR FAMILY” në Volpago (TV), afaristin e mirënjohur Mario Zhuri nga Shkodra, të cilin duhet falënderuar për mikpritjen e ngrohtë në një superambient festiv. Do të mbetej i mangët ky shkrim, pa e përmendur dhe falënderuar kuzhinieren me përvojë të gjatë në fushën e Gastronomisë, zonjën Antoneta Zhuri (Nëna e Marios) për ushqimet e shijshme tradicionale, që i përgatiti enkas për festën e Pavarësisë së Kosovës.

Florim ZEQA

Go to TOP