Kryeziu: LDK-ja të mos i shërbejë krizës, por zgjidhjes politike – letra e Kurtit lë për të dëshiruar, por dialogu është i domosdoshëm

Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në skenën politike duke e cilësuar si të domosdoshëm një dialog ndërpartiak për zhbllokimin e institucioneve dhe sigurimin e një qeverisjeje të qëndrueshme.

Ai theksoi se, prej një kohe të gjatë, në Kosovë po kërkohet një marrëveshje politike që do të mundësonte funksionalizimin e institucioneve dhe daljen nga kriza e thelluar institucionale.

Në këtë kontekst, Kryeziu komentoi edhe letrën e fundit që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka dërguar kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku duke theksuar se përmbajtja e saj “lë shumë për të dëshiruar”, sidomos kur vjen nga një lider që përfaqëson subjektin më të madh politik në vend.

“Sot, Kurti i paska shkruar sërish Abdixhikut, kësaj here jo vetëm për konstituimin e institucioneve, por për një koalicion qeverisës. Një letër që, për nga përmbajtja, lë shumë për të dëshiruar, sidomos kur vjen nga një ish-kryeministër, a kryeministër në detyrë dhe lider i subjektit më të madh politik,” shkroi ai.

Megjithatë, Kryeziu paralajmëron se nuk është koha për të refuzuar mundësitë për dialog, përkundër formës së letrës. Ai apelon që LDK-ja të veprojë me maturi dhe përgjegjësi politike.

“Pra, është e lehtë ta refuzosh letrën për gjuhën dhe qasjen e papërshtatshme. Por më e rëndësishme është të mos refuzojmë mundësinë për dialog ndërpartiak. LDK duhet të veproj politikisht jo për t’i shërbyer VV-së, por për të mos i shërbyer krizës së zgjatur politike dhe institucionale,” përfundoi ai.

Postimi i tij u shoqërua me hashtagun #PërtejNumrave duke theksuar rëndësinë e vendimeve që i shërbejnë vendit dhe jo thjesht kalkulimeve politike. /Kosova.info/


Go to TOP