Kryetari i naftëtarëve: Ministria gaboi me vendimin – po e shqyrtojmë mundësinë për ta dërguar në Gjykatë

Ministria e Tregtisë ka kthyer masën e kufizimit të fitimit për naftëtarët.

Siç thuhet në vendim kjo erdhi pas evidentimit se rritja e çmimeve nga ana e tyre nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror.

Në bazë të këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy centë për litër, ndërsa marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 12 centë për litër.

Ky vendim do të jetë në fuqi për 30 ditë.

E, kjo ka sjellë pakënaqësi tek Shoqata e Naftëtarëve.

Në një prononcim për Front Online, kreu i kësaj shoqate, Fadil Berjani thotë se vendimi është i gabuar.

Ai kërkon që të dënohen kompanitë që dyshohen se kanë abuzuar me çmime, jo të pësojnë të gjitha.

“Unë mendoj se është një vendim i gabuar, kur e them këtë e them me një përgjegjësi të plotë. Nëse ka pasur abuzime me çmim, le të dënohen ato kompani të cilat po bëjnë abuzim, e jo të pësoj i tërë sektori i naftës, kur ka kompani që e kryejnë me nder, shërbimin e kryejnë siç duhet”, tha ai për Front Online.

Ai thotë se vendimi i MINT për kufizim të çmimit, i dëmton bizneset.

Berjani thotë se kanë bërë ankesë tek ministria.

“Ky vendim na ka dëmtuar, dhe për atë, jemi tubuar shoqata e naftëtarëve. Shoqata e naftëtarëve ka pasë një takim të jashtëzakonshëm lidhur me vendimin e Qeverisë. Ne kemi bërë një ankesë tek ministria dhe presim një përgjigje nga ajo. Brenda një afati do të presim përgjigjen, tani do të shohim se si do të veprojmë”, deklaron ai.

Berjani nuk përjashton mundësinë e dërgimit të vendimit në Gjykatë.

Ai thotë se në mbledhjen e dytë të naftëtarëve do të votohet për këtë vendim.

“Shoqata e Naftëtarëve do të mbajë Kuvendin e dytë që do të votohet se a do të shkojë lënda në Gjykatë a jo. Po ka të tillë që nuk po dëshirojnë me dërgu lëndën në Gjykatë, ka edhe pro, kjo votohet në Kuvend. Po e presim përgjigjen e ankesës, pas përgjigjes së ministres Hajdari, do të ftohet Kuvendi dhe do të vendoset se a do të shkojë lënda në Gjykatë apo jo”, deklaron ai.

Sipas të dhënave, Berjani thotë se çmimet e derivateve në Kosovë janë më të lirat në rajon, pas Maqedonisë së Veriut.

“Në Kosovë dizel 1.35 cent, benzina 1.38 cent: Shqipëri 1.81 cent dizel, benzina 1.83 cent: Serbi 1.73 cent dizel, benzina 1.65 cent: Mali Zi 1.44 cent dizel, benzina 1.63: Bosnja 1.39 dizel, benzina 1.41: Maqedonia 1.30 dizel, benzina 1.35: Kroacia 1.52 dizel, benzina 1.6”, tregon Berjani.

Kreu i naftëtarëve tregon marzhën e fitimit që Serbia, Maqedonia e Shqipëria e kanë.

“Marzha e fitimit në Serbi është 42 cent, në Maqedoni 27 cent, Shqipëri është 16 cent, ndërsa tek ne ministria përcakton 12 cent”, tha ai për Front Online.

Çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.

Go to TOP