Kryetari i Lipjanit: Realisht nuk kemi bashkëpunim me Qeverinë
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, i tha Radio Kosovës se nuk do të marrë pjesë në ngjarjen që mbahet sot në fshatin Janjevë të Komunës së Lipjanit, pasi aty është paraparë të flasë vetëm kryeministri Albin Kurti.
Ahmeti theksoi se ndërmjet Qeverisë dhe Komunës së Lipjanit realisht nuk ekziston kurrfarë bashkëpunimi, ndërsa u shpreh i pakënaqur me Qeverinë pasi sipas tij “nuk ka bërë as një investim në Komunën e Lipjanit”. “Zero investime!”, u shpreh Ahmeti.
RTK-Radio-Zoti Ahmeti, kemi kuptuar se ju nuk do të merrni pjesë sot, në një ngjarje në Janjevë, ku merr pjesë kryeministri Albin Kurti. Janjeva është fshati i komunës tuaj. Pse atëherë, nuk dëshironi të merrni pjesë në këtë ngjarje dhe në fakt për çfarë ngjarje bëhet fjalë, pasi në njoftimin e Qeverisë, thuhet se Kryeministri merr pjesë në hapjen e Panairit të Janjevës “Mirëserdhët në Janjevë!”?
Ahmeti: E para, ju mund ta vërtetoni ndërkohë se për çfarë panairi bëhet fjalë dhe e dyta, ne jemi ftuar 10 minuta para përfundimit të orarit të punës, ditën e premte nga organizatori, në këtë rast nga UNDP, në të cilën është paraparë të flasë vetëm kryeministri dhe natyrisht që nuk iu kam përgjigjur asaj ftese për shkak të mos koordinimit total ndërmjet kryeministrit me komunën.
RTK-Radio-Kjo që thoni ju, tregon se nuk ka një bashkëpunim të rregullt ndërmjet kryeministrit dhe juve si kryetar i Lipjanit. Në fakt çfarë bashkëpunimi ka ndërmjet dy institucioneve – Qeverisë dhe Komunës së Lipjanit?
Ahmeti: Pothuajse nuk ekziston fare bashkëpunimi. Realisht nuk kemi ndonjë komunikim. Natyrisht, që institucionet në vijën zyrtare i kryejnë punët e veta, por na mungon koordinimi i punëve dhe aktiviteteve për nevojat e komunës, dhe faktikisht Qeveria nuk ka gatishmëri për të përkrahur dhe mbështetur as iniciativa dhe as projekte të Komunës së Lipjanit.
RTK-Radio: E dini arsyen pse ndodh kështu zoti Ahmeti? Mos po aludoni në faktin se Lipjani qeveriset nga LDK-ja?
Ahmeti: Nuk mund të ketë arsye tjetër në fakt! Nuk mund ta interpretoj ndryshe përveç se mungesës së vullnetit dhe gatishmërisë së tyre të bashkëpunojnë me autoritete komunale atje ku ata nuk e kanë pushtetin. Komunat ku e kanë pushtetin, natyrisht se kanë tjetër tretman dhe kjo po ndodh për herë të parë në Kosovë që komunat të grupohen dhe definohet nga fakti se kush është në pushtet.
RTK-Radio- A jeni të kënaqur me investimet e Qeverisë me Komunën e Lipjanit?
Ahmeti: S’kemi si të jemi të kënaqur, sepse nuk e kemi as një investim. Hiç, as një investim, zero investime!
