Kritika për pushtetin dhe mbështetje për lirinë e mediave në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen për gazetarët dhe për mbrojtjen e të drejtës së tyre për të raportuar pa frikë e pa censurë, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Ndërkaq, partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë për sulm ndaj mediave.

Reagimet e tyre vijnë pas publikimit të Indeksit për Liri të Shtypit nga organizata joqeveritare, Reporterët pa Kufij, ku Kosova u rendit në vendin e 75-të, apo 19 vende më poshtë sesa vitin paraprak.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se liria e shtypit është thelbësore për demokracinë dhe të vërtetën. Megjithatë, ajo shprehu shqetësim për lajmet e rreme dhe dezinformatat dhe tha se luftimi i tyre “nuk ka qenë kurrë më urgjente”.

“Këtë betejë duhet ta bëjmë bashkë, institucionet, gazetarët dhe shoqëria civile, ngase vetëm bashkërisht mund ta mirëmbajmë një ambient ku e vërteta mbizotëron ndaj lajmeve të rreme dhe ku media është e lirë ta përmbushë rolin e saj si mbrojtëse e demokracisë dhe e të drejtës së qytetarëve për të qenë të mirinformuar”, tha Osmani përmes një deklarate për media.

Për gjendjen e lirisë së mediave kanë reaguar edhe partitë opozitare shqiptare në Kuvendin e Kosovës, të cilët kanë kritikuar pushtetin për sulm të mediave.

Kreu i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se historikisht punëtorët medial kanë “mirëmbajtur standarde, integritetit dhe guxim të lartë edhe në kohërat më të errëta të vendit tonë”.

“Prandaj, zhvillimet e fundit në Kosovë, megjithëse në liri, paraqesin një pamje dhe një situatë tejet shqetësuese për median e lirë”, shkroi ai në Facebook.

Duke folur për kthimin prapa që ka bërë Kosova në Indeksin e Reporterëve pa Kufij, Krasniqi tha se “presioni në rritje i Qeverisë ndaj mediave të pavarura dhe shënjestrimi i gazetarëve të vendit tonë është kërcënim në rritje për lirinë e shtypit dhe fjalës së lirë”.

Reporterët pa Kufij thanë se mediat në Kosovë, pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët vazhdojnë të jenë “cak i sulmeve politike”.

“I bëj thirrje Qeverisë që të ndërpresë cenimin dhe përndjekjen e gazetarëve dhe mediave të lira të vendit tonë. Gazetarët duhet të vazhdojnë të punojnë pa frikën e hakmarrjes, censurës ose persekutimit”, tha Krasniqi.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës u shpreh e shqetësuar për gjetjet e raportit të Reporterëve pa Kufij, por edhe të dy raporteve të publikuara së fundi nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe organizata për të drejtat e njeriut, Freedom House, ku janë përmendur kufizimet ndaj lirisë së shprehjes dhe mediave.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh alarmuese këtë raport [të Reporterëve pa Kufij], i cili flet për ambientin tejet shqetësues të të bërit gazetari në Kosovë. Sepse, sot në këtë ditë botërore duhet të kujtojmë dhe vlerësojmë rëndësinë jetike të një shtypi të lirë dhe të pavarur, që është themeli i çdo demokracie të shëndetshme. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson po ashtu se demokracia nuk mund të mbijetojë në heshtje. Për një shoqëri që dëshiron të avancojë, duhet një media e lirë që sfidon, pyet dhe kërkon llogari”, u tha në reagimin e LDK-së.

Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se mbrojtja e gazetarëve dhe mediave të lira është ndër “parimet e panegociueshme” dhe detyrë e institucioneve dhe shoqërisë.

“Shqetësues mbetet qasja e eksponentëve të pushtetit me sulmet e orkestruara që i bëjnë mediave dhe tendenca për kontroll ndaj tyre, duke shënuar regres alarmant sa i përket lirisë së medias, i vërtetuar edhe nga raportet e institucioneve kredibile ndërkombëtare”, tha Haradinaj përmes një postimi në Facebook.

Në raportin për të drejtat e njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit, të publikuar muajin e kaluar, u citua Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që tha se “zyrtarë të Qeverisë, përfshirë kryeministrin dhe anëtarë të partisë në pushtet, janë angazhuar në fushata shpifëse për të minuar besimin e publikut në media”.

Po muajin e kaluar, Freedom House publikoi raportin për lirinë e medias, ku u listuan problemet me të cilat u përballën gazetarët më 2023. Aty u tha se pavarësisht se Kosova ka një peizazh të larmishëm mediatik, “në përgjithësi, liria e fjalës dhe shprehjes ka qenë disi e kufizuar”, teksa shumë media “hezitojnë të përfshihen në mbulim kritik për Qeverinë”.

Go to TOP