Krasniqi: Zgjedhja e nënkryetarëve të komuniteteve joshumicë në Kuvend duhet të përsëritet

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus thekson se procedura për zgjedhjen e dy nënkryetarëve të Kuvendit që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë duhet të përsëritet, pasi mënyra e ndjekur nuk është në përputhje me Kushtetutën. Sipas tij, votimi duhet të bëhet në bllok për të dy kandidatët.

Kandidati për nënkryetar nga komuniteti serb mund të propozohet vetëm nga Lista Serbe, e cila përfaqëson shumicën e deputetëve të këtij komuniteti, dhe jo nga subjekte të tjera politike. Aktivizimi i shortit për përzgjedhjen e kandidatit mund të përdoret vetëm kur nuk ka propozime dhe gjithmonë në prani të deputetëve të komunitetit përkatës. Pa pjesëmarrjen e tyre, shorti nuk mund të zhvillohet.

Krasniqi paralajmëron se çdo skenar për të shteruar kandidaturat e Listës Serbe me qëllim që pozita t’i kalojë ZSPO-së së Nenad Rashiqit nuk mund të realizohet pa miratimin e shumicës së deputetëve të këtij komuniteti duke nënvizuar nevojën për respektim të procedurave kushtetuese dhe integritetit parlamentar. /Kosova.info/


Go to TOP