Krasniqi: Prizreni zgjedh punën, bashkimin dhe të ardhmen – më 9 nëntor voto Shaqir Totajn

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë thirrje qytetarëve të Prizrenit që në balotazhin e 9 nëntorit të votojnë për Shaqir Totajn duke e cilësuar atë si kandidatin e punës, bashkimit dhe të ardhmes.

“Prizreni zgjedh punën, bashkimin dhe të ardhmen – Prizreni voton Shaqën”, ka shkruar Krasniqi në një postim, ku thekson se Totaj është më shumë se kandidati i PDK-së – është kandidati i qytetit dhe i njerëzve që duan zhvillim e respekt.

Sipas tij, gjatë udhëheqjes së Totajt, Prizreni ka shënuar përparim të dukshëm duke u bërë një qytet më i pastër, më i rregullt, më turistik dhe më i jetueshëm për të gjithë.

“Shaqir Totaj ka dëshmuar se puna është mbi fjalët, shërbimi mbi interesin dhe bashkimi mbi ndarjet. Rruga përpara është edhe më e mirë, me të në krye,” ka shtuar Krasniqi duke ftuar qytetarët që të votojnë për vazhdimësi dhe dinjitet.

“Voto Shaqir Totajn #PDK191,” përfundon ai.

Nga ana e tij, Totaj shprehu besimin në koalicionin e arritur ditëve të fundit për zgjedhjet e 9 nëntorit.

Ai tha se këto koalicione, do t’ia rrisin vlerën dhe do të qeveris me resurse, kapacitete dhe ide të reja në Prizrenin multietnik.

PDK-së në Prizren, për zgjedhjet e balotazhit, përveç LDK-së, i është bashkangjitur edhe Nisma Socialdemokrate dhe disa parti të tjera të komuniteteve pakicë.

Kandidati i PDK-së në Prizren për kryetar të komunës ka për kundërkandidat atë të LVV-së. /Kosova.info/


Go to TOP