Krasniqi në Malishevë: PDK mbetet alternativa më e besueshme për të ardhmen
Partia Demokratike e Kosovës, në vazhdën e aktiviteteve elektorale, ka mbajtur tubim me banorët e Malishevës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, së bashku me kandidatin për kryetar të kësaj komune nga ky subjekt politik, Gëzim Krasniqi, kanë paraqitur para përkrahësve të tyre programin qeverisës dhe vizionin për zhvillimin e Malishevës.
Në fjalimet e tij, Krasniqi ka veçuar rëndësinë e bashkëpunimit me qytetarët dhe ofrimit të zgjidhjeve konkrete për problemet me të cilat përballet kjo komunë, duke potencuar se PDK mbetet alternativa më e besueshme për të ardhmen e tyre.
“Për një Malishevë të barabartë me shëndetësi më afër qytetarit, me një infrastrukturë më moderne, projekte për rini, kulturë, sport e inovacion. Ky është vizioni i dr. Gëzimit të cilin unë e mbështes. Një Malishevë ku askush nuk mbetet mbrapa, kur jeta bëhet më e mirë për gjithë dhe jo vetëm për disa”, ka deklaruar mes tjerash Krasniqi.
Kandidati për kryetar të Malishevës, Gëzim Krasniqi, ka thënë se plan-programi i tij qeverisës bazohet në pesë parime duke u nisur nga transparenca dhe llogaridhënia. Ai ka potencuar se zgjidhja e çështjes së furnizimit me ujë të pijshëm dhe ujërave të zeza do të jetë në plan të parë në qeverisjen e tij.
Në këtë tubim është theksuar se “më 12 tetor zgjedhja është e qartë për të gjithë qytetarët që e duan Malishevën me zemër dhe që synojnë transformimin e kësaj komune”. Sipas PDK-së, kjo mund të arrihet vetëm me udhëheqjen e tyre.
