KPK: Proces i ri për Kryeprokurorin e Shtetit, propozimi i vitit 2022 nuk vlen më për emërim
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka sqaruar se emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit bëhet në përputhje me kornizën kushtetuese dhe ligjore, përmes propozimit nga KPK-ja dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës.
Sipas KPK-së, propozimi i bërë në vitin 2022 nuk është finalizuar, pasi nuk është nxjerrë asnjë dekret presidencial. Për pasojë, asnjë kandidat nuk ka fituar të drejtën për ushtrimin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Këshilli thekson se kjo pozitë ka mbetur pa mandat të plotë që nga prilli i vitit 2022 dhe është ushtruar vetëm nga ushtrues detyre duke krijuar pasiguri institucionale dhe ligjore që ka ndikuar në funksionimin dhe kredibilitetin e sistemit prokurorial.
Në këtë kontekst, KPK njofton se propozimi i vitit 2022 nuk mbahet më për qëllime të emërimit nga Presidenti duke hapur rrugë për një proces të ri përzgjedhjeje. Ky sqarim nuk përbën anulim të konkursit të atëhershëm dhe nuk paragjykon kandidatët, të cilët kanë të drejtë të aplikojnë sërish.
KPK ka shpallur konkurs të ri për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit më 18 maj 2026, i cili do të jetë i hapur deri më 10 qershor 2026. Institucioni ka ftuar të gjithë prokurorët që plotësojnë kushtet ligjore të aplikojnë duke garantuar se procesi do të zhvillohet mbi parimet e transparencës, meritokracisë dhe barazisë.
Ndërkohë, nevoja për një proces të rregullt dhe të bazuar në meritë është theksuar vazhdimisht edhe nga Komisioni Evropian në raportet e fundit për Kosovën, si dhe nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimi Evropian, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë dhe OSBE.
KPK ka theksuar se do të vazhdojë procedurat në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi duke synuar sigurimin e një procesi të drejtë dhe funksional për emërimin e Kryeprokurorit të ri me mandat të plotë. /Kosova.info/
