Kosova mund ta propozojë në dialog çështjen e shqiptarëve në Serbi dhe deklarata për të pagjeturit – gjithçka nga vizita e Lajçakut në Kosovë

Për të tretën ditë me radhë po qëndron në Kosovë emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak.

Lajçak gjatë qëndrimit në Kosovë ka takuar kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e partive opozitare.

I dërguari i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi në ditën e parë të vizitës pas takimit me Kurtin në një postim në Twitter ka shkruar se gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti e ka përgëzuar për arritjen e marrëveshjes për energji me Serbinë javën e kaluar në Bruksel.

“Shumë mirë që u ktheva në Kosovë! E nisa vizitën time duke u takuar me kryeministrin Albin Kurti për të vazhduar diskutimin tonë për rrugën përpara në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Unë gjithashtu e përgëzova atë për arritjen e një marrëveshjeje për energjinë javën e kaluar”, ka deklaruar ai.

I dërguari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak dhe kryeministri Albin Kurti

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi shkruar edhe për çështjen e personave të pagjetur për të cilët tha se duhet urgjent të zgjidhet.

Ai ka folur edhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, duke thënë se çështja e shqiptarëve në Serbi nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut.

Sipas tij, nëse Kosova dëshiron ta bëjë pjesë të dialogut, atëherë i takon Kosovës të propozojë këtë dhe pastaj të shihet nëse do të pajtohet edhe Serbia, sepse janë palët ato që vendosin se çka është pjesë e agjendës.

“Unë nuk e detyroj askënd sepse me të vërtetë besoj që ju dëshironi të normalizoni marrëdhëniet dhe roli im është që të ndihmoj në këtë proces”, tha Lajçak në emisionin “Kallxo Përnime”.

Lidhur me takimin Kurti-Lajçak kanë njoftuar edhe nga Kryeministria.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Kryeministrisë, në takim është biseduar për mbarëvajtjen e deritanishme të takimeve, qasjes konstruktive përgjatë tërë procesit të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimin e këtij procesi.

Kurti ritheksoi se Qeveria e Kosovës është e angazhuar për dialog parimor, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, e cila në qendër ka njohjen reciproke.

E të martën me të dërguarin e BE-së janë takuar edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku dhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryetari i PDK-së, Albin Kurti

Gjatë këtij takimi Krasniqi me Lajçakun diskutoi për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kreu i PDK-së ka bërë të ditur se në këtë takim ia ka përsëritur ndërmjetësit evropian qëndrimin e PDK-së për dialogun.

“Zotëri Lajçak më informoi rreth zhvillimeve të fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe hapave të mëtutjeshëm që pritet të ndërmerren. Atë e njoftova me qëndrimet e pandryshuara të PDK-së për procesin e dialogut, i cili duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Krasniqi.

Edhe Abdixhiku i LDK-së në takim me Lajçakun ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Me këtë rast, kryetari Abdixhiku, ia rikonfirmoi Përfaqësuesit Special të BE-së, Lajçak, qëndrimin e LDK-së, ku theksoi se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke, normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si dhe duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin e rendin kushtetues të Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të LDK-së.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

“Në fund të takimit, kryetari Abdixhiku, specifikisht kërkoi përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave e cila u adresua edhe në Rezolutën e EPP-së, që u votua në fillim të muajit në Rotterdam. Po ashtu, kryetari Abdixhiku, kërkoi përkushtimin e plotë të BE-së në proceset integruese të rajonit”, thuhet tutje në njoftim.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur këtë të martë në takim përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Në këtë takim Haradinaj ka thënë se ka ripërsëritur qëndrimet e AAK-së për dialogun.

“Në takim me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajçak, ripërsërita qëndrimet tona për dialogun, domosdoshmërinë e rolit strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke mes dy vendeve”, ka shkruar ai në Facebook.

Sot në orët e mëngjesit, Lajçak pas vizitës treditore do të mbajë një konferencë për media.

Go to TOP