Kosova eliminohet nga Kampionati Botëror në hendboll, mposhtet nga Polonia
Kosova është mposhtur në hendboll nga Polonia me rezultat 20:32, ku edhe mori fund rrugëtimi në kualifikimet për Botërorin 2023.
Kosova në këtë rrugëtim eliminoi Ishujt Faroe, Federata e Hendbollit të Kosovës bëri thirrje që të ketë përkrahje më të madhe për vajzat hendbolliste në ndeshjet e ardhshme.
Në lidhje me këtë, selektori i Kosovës Agron Shabani tha se Kosova kishte përballë një kombëtare të nivelit të lartë evropian.
“Kualiteti ishte shumë më i lartë se i yni, jemi angazhuar maksimalisht por nuk e përballuam nivelin e kundërshtarit. Do të mundohemi tash për Evropian që të mobilizohemi maksimalisht dhe të japim më të mirën. Kemi bërë një hap të madh para, kemi ardhur deri në këtë lojë dhe do të mundohemi të bëjmë edhe më mirë se që kemi bërë deri tash”, tha Shabani.
E, në lidhje me këtë rrugëtim foli edhe kapitenia Leonora Demaj, e cila tha se Kosova akoma nuk është në nivelin e Polonisë dhe se kanë shumë para.
“Mirëpo edhe pse rezultati doli keq, jam e kënaqur me pjesën e parë. I kemi dhënë mundin deri në fund. Në pjesën e dytë nuk kishim energji më, u lodhëm. Jemi shumë pak lojtare që luajmë edhe në sulm edhe në mbrojtje. U harxhuan bateritë në fund. Kemi mësuar shumë në këto dy ndeshje, jemi të vetëdijshme se çfarë pune na pret për të qenë në nivelin e Polonisë”, tha Demaj.
