Koreja e Veriut e lëshon një raketë e cila mund t’i arrijë bazat e largët amerikane

Koreja e Veriut e ka shkrepur një raketë të dyshuar balistike me rreze të mesme veprimi drejt detit të dielën, tha ushtria e Koresë së Jugut.

Lëshimi i kësaj rakete vjen dy muaj pasi Koreja e Veriut pretendoi se kishte testuar motorë për një raketë, të cilën është më e vështirë ta vëresh dhe e cila është në gjendje t’i godasë caqet e largëta amerikane në rajon, raporton Associated Press.

Kjo ishte raketa e parë e lëshuar nga Veriu këtë vit.

Ekspertët thonë se Koreja e Veriut mund t’i shpeshtojë testimet raketore provokuese në përpjekje për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Korenë e Jugut në prill dhe në zgjedhje presidenciale të ShBA-së në nëntor.

Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut tha në një komunikatë se e vërejti lëshimin e një rakete balistike me rreze të mesme veprimi nga rajoni i kryeqytetit të Koresë së Veriut të dielën.

Raketa fluturoi drejt ujërave lindor të Veriut, sipas tij.

Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia janë duke i analizuar hollësitë shtesë të lëshimit të raketës, ndërsa ushtria jugkoreane është në gatishmëri, thuhet në komunikatë.

Edhe Ministria e Mbrojtjes e Japonisë tha se e ka vërejtur një raketë të mundshme balistike të Veriut. Raketa besohet të këtë rënë në oqean, sipas saj.

Në nëntor, mediat shtetërore të Koresë së Veriut thanë se ajo kishte testuar suksesshëm motorë me lëndë djegëse të ngurta për një raketë balistike me rreze të mesme veprimi, për të cilin vëzhguesit thonë se me gjasë është e ndërtuar për t’i goditur bazat ushtarake të ShBA-së në Okinava, në Japoni dhe në territorin paqëso amerikan, Guam.

Raketat me lëndë djegëse të ngurta është më vështirë t’i vëresh kur lëshohen, krahasuar me raketat me lëndë djegëse të lëngshme, të cilat duhet të mbushen para lëshimit dhe nuk mund të zgjasin gjatë.

Hera e fundit kur Koreja e Veriut e shkrepi haptazi një raketë ishte më 18 dhjetor, kur e testoi raketën balistike interkontinentale me lëndë djegëse të ngurtë, Hwasong-18, e cila është arma më e avancuar e saj.

Hwasong-18 është e ndërtuar për ta goditur tokën amerikane.

Në ditët e fundit, Koreja e Veriut e ka përshkallëzuar retoriken e luftës kundër atyre që i konsideron armiq.

Në dhjetor, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha se Peniani nuk do të ngurrojë të kryejë sulm bërthamor, nëse “një armik na provokon me armë bërthamore”.

Ai gjithashtu është zotuar se do t’i lëshojë edhe tre satelitë të tjerë spiunë ushtarakë, se do të prodhojë më shumë materiale bërthamore dhe dronë luftarakë modernë gjatë vitit 2024.

Vëzhguesit thonë se Kimi beson se rritja e kapaciteteve bërthamore do t’ia japë atij një tjetër mundësi për ta thirrur një samit të madh diplomatik me ShBA-në, për të siguruar zbutjen e sanksioneve, nëse ish-presidenti Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Go to TOP