Konjufca uron 28 Nëntorin: Qoftë përjetë frymëzim e orientim i ndërgjegjes sonë të përbashkët
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka uruar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ai thotë se kjo ditë e përbashkimit mbarëshqiptar, i kujton gjithsecilit sakrificën, idealin dhe domethënien e pashtershme të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, të frymimit të së njëjtës përpjekje nën një flamur kombëtar.
“Ditën e sotme e nisëm me homazhet në Prekazin historik, aty ku 28 Nëntori na thërret të risjellim në vëmendje daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aty ku përkulemi me respektin më të thellë e admirimin më të lartë ndaj sakrificës së familjes Jashari dhe komandantit legjendar Adem Jashari, që lindi pikërisht në këtë datë, a thua sikur të ishte paracaktuar në lindje për të marrë mbi supe peshën e kësaj date kombëtare, që ta shpaloste përsëri fuqinë e saj të mrekullueshme si burim lirie. Për të vazhduar përpara na duhej të ktheheshim pas në histori, duke përkujtuar me nderime veprën patriotike të luftëtarit të shquar Isa Boletini. Pavarësia e Shqipërisë po shpallej si afirmim i vullnetit politik të popullit shqiptar, por edhe si rezistencë ndaj pushtimit të territoreve shqiptare. Në këtë gjendje lufte, kontributi i Isa Boletinit dhe i të gjithë luftëtarëve të tjerë në përpjekjen për të ruajtur territorin dhe konsolidimin e unitetit të brendshëm kombëtar mbetet kyç për realizimin, edhe pse të pjesshëm, të aspiratës për një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe sovrane”, ka shkruar kryeparlamentari në Facebook.
“I përmbyllëm homazhet me përkulje përballë shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë, kësaj figure të dijes dhe urtësisë që ngriti flamurin kuq e zi të pavarësisë dhe shtetit shqiptar. Te mjekra e tij e bardhë duket sikur maturohet përpjekja e gjatë shqiptare për liri, pavarësi dhe shtet, që nga Lidhja e Prizrenit te luftërat, te qartësia e Rilindjes kombëtare për emancipim, edukim dhe ndërgjegjësim, te organizimet politike e diplomatike, dhe të gjitha këto që të arrihej deri te 28 Nëntori i vitit 1912 që dhe sot na frymëzon, na mbush me dinjitet dhe horizont”.
“Të gjithë shqiptarëve kudo që janë, gëzuar 28 Nëntorin e pavarësisë dhe flamurit shqiptar, ditën më të rëndësishme të kombit! Qoftë përjetë frymëzim e orientim i ndërgjegjes sonë të përbashkët!”.