Konjufca kujton Agron Rrahmanin: Ndoqi shembullin e atyre që e deshën atdheun

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka përkujtuar heroin Agron Rrahmani, në 25-vjetorin e rënies së tij.

Konjufca tha se ai ishte një ndër organizatorët e demostratave në Besjanë gjatë viteve 1989-1990.

Ai tha se Rrahmani admironte dhe ndiqte shembullin e atyre që e deshën atdheun e që për të ishin të gatshëm të japin gjithçka. Ai së bashku me Bahri Fazliun, themeluesin e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, nuk i ndanë rrugët deri në fund.

“Në veçanti, Agroni zotëronte aftësitë e organizimit luftarak dhe përgatitjes ushtarake të vullnetarëve që më vonë do të ishin ushtarë të luftës çlirimtare. Në qendrën stërvitore në Tiranë, ku kontribuoi fuqishëm për ngritjen e saj dhe që më vonë do të mbante emrin e tij, do të stërviteshin disa qindra vullnetarë. Ai do të bëhej komandant i njësitit gueril “Rexhep Mala”, në Prishtinë, deri kur lavdishëm ra dëshmor në një përballje të armatosur me forcat serbe, më 12 maj të vitit 1998”, shkroi ai ndër tjera.

Konjufca tha se tërë populli dhe institucionet duhet të nderojnë dëshmorët dhe se duhet të frymëzohen nga aspirate e tyre për ta çuar shtetin përpara.

“Lavdi Agron Rrahmanit dhe gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për liri!”, shkroi ai në Facebook.

Go to TOP