Kongresi amerikan afër miratimit të ndihmës për Ukrainën

Pas muajsh vonese, Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së është gati të mbajë një votim për dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake amerikane për Ukrainën, ku kjo e fundit është bërë gjithnjë e më e paduruar për më shumë mbështetje perëndimore. Ndihma pritet të miratohet në Kongresin amerikan edhe për Izraelin.

Të dyja masat kanë kundërshtarë të fortë në Kongres, megjithatë shpresat për miratimin e ndihmave “janë varur” në një koalicion të brishtë dypartiak për të kapërcyer pengesat.

Ndihma për Ukrainën konsiston në 60.8 miliardë dollarë dhe 26.4 miliardë dollarë për Izraelin.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson ka thënë se është i vendosur ta çojë çështjen në votim, edhe nëse kjo mund të vërë në rrezik mbajtjen e tij në pushtet.  Vetë Ukraina ka paralajmëruar për një nevojë urgjente për mbështetje të re nga aleatët e saj, ndërsa Rusia bën fitime të qëndrueshme në fushën e betejës.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë për kalimin përfundimtar këtë të shtunë dhe Senati mund ta miratojë paketën këtë fundjavë. Presidenti Joe Biden është zotuar ta nënshkruajë atë në ligj.

Go to TOP