Komuna e Prishtinës nënshkruan marrëveshje për shkarkim trafiku

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe zëvendësministrin Hysen Durmishi.

“Po e fillojmë një cikël të nënshkrimit nëpër komuna dhe po e nisim me kryeqytetin me katër  projekte prej 1.5 milionë eurosh , të cilat ndërlidhen me interesin e qytetarëve, si projekti ‘hekurudha’ e projekte tjera që do të kenë një rëndësi të madhe për kryeqytetin”, ka thënë Aliu.

Ai ka folur edhe për projektin sikurse ndërtimi i urrës në “Veternik”, që do të shërbejë si lidhje për dy lagje.

“Për këtë ministria ka ndarë 8 milionë  euro, kurse dizajnin do të bëjë komuna. Me këto projekte do të shkarkohet trafiku në Prishtinë”, tha Aliu.

Edhe kryetari Rama tha se këto projekte do të mundësojnë shkarkim të trafikut në kryeqytet.

“Nënshkruam marrëveshje bashkëpunimi për një numër të projektesh që do të kenë impakt pozitiv në shkarkim të trafikut. Këto projektet janë madhore për kryeqytetin. Urojmë të vazhdojmë edhe me projektet tjera sikurse Unaza e kryeqytetit. Me ministrin Aliu, diskutuam edhe  për projekte tjera si hartat zonale e projekte tjera”, tha kryetari Rama.

Marrëveshja do të intensifikojë vazhdimin e punimeve në projektet: zgjerimi i rrugës “Bajram Bahtiri” në katër korsi, kyçja e rrethit të Lakrishtës, duke e lidhur Unazën e qytetit me rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë – Mitrovicë dhe rrethrrotullimin e Lakrishtës dhe ndërlidhja e rrugës Kolovicë – Sofali. /Kosova.info/

Go to TOP