Komuna e Malishevës dhe e Meyrinit thellojnë bashkëpunimin

Komuna e Meyrinit të Zvicrës dhe komuna e Malishevës vite më parë kanë filluar bashkëpunim e i cili po vazhdon të rritet.

E në kuadër të këtij bashkëpunimi me ftesë të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, delegacioni i komunës së Meyrin, (kantoni i Gjenevës në Zvicër), i udhëhequr nga kryetarja e këshillit të kësaj komune, Nathalie Leuenberger, e shoqëruar nga bashkëkryetarët e këshillit, Laurent Tremblet dhe Eric Cornuz, si dhe nga aktivisti mërgimtar në Zvicër, Agim Paçarizi, po qëndrojnë në vizitë zyrtare dy ditore në Malishevë.

Kryetari Kastrati, i ka uruar mirëseardhje në Malishevë, kryetares Leuenberger dhe delegacionit nga komuna e Meyrin dhe është shprehur shumë i kënaqur me vazhdimin e bashkëpunimit në mes të dy komunave, bashkëpunim i cili pritet të përfundoj me binjakëzim.

E kryetarja e Meyrinit, Nathalie Leuenberger, ka thënë se mërgata shqiptare në atë pjesë të Zvicrës është shembull për bashkëpunim, po ashtu ka falënderuar kryetarin Kastrati, për ftesën dhe pritjen, është shprehur shumë e kënaqur me thellimin e miqësisë mes dy komunave.

Kastrati, i ka njoftuar me zhvillimet dhe projektet që janë duke u realizuar në Malishevë, me përpjekjet e qeverisë komunale për ndërtimin dhe zhvillimin e komunës, si dhe për nevojat që ka komuna. Gjithashtu e ka falënderuar edhe mërgimtarin Paçarizi, për kontributin e tij për krijimin e kësaj lidhje të miqësisë, mes dy komunave, e cili është ish kryetar i lidhjes së mësimdhënësve shqiptarë në këtë vend.

Komuna e Malishevës njofton se gjatë vizitës s tyre në Malishevë, delegacioni i Myerinit, të shoqëruar vazhdimisht nga kryetari Kastrati, e kanë vizituar qytetin e Malishevës dhe projektet që janë duke u realizuar, si parku i qyteti, infrastruktura, rrugët, si dhe projektet tjera, në kuadër të projektit të madh të “Malishevës Urbane”.

Gjithashtu, është vizituar edhe Qendra e Kompetencës, shkollë e mesme profesionale, njësia e “Ekoregjionit”, fabrika e letrës “Orto Paper”, parku në Mirushë, kompleksi memorial në Kleçkë, shtëpia muze e “Radio Kosova e Lirë”, si dhe Kisha katolike në Kërvasari. /Kosova.info/

Go to TOP