Koka e dushit dhe furça e dhëmbëve, përplot viruse
Mjediset e ngrohta dhe të lagështa të dushit dhe furçës suaj të dhëmbëve janë terreni i përsosur për rritjen e mikrobeve dhe një studim i ri ka identifikuar qindra viruse që jetojnë në këto dy lokacione, duke treguar biodiversitetin e madh që gjendet në një shtëpi mesatare.
Këto viruse, megjithatë, nuk janë nga ato llojet që do t’ju japin ftohjen ose gripin e zakonshëm (ose më keq). Të quajtur bakteriofagë, ose shkurt fagë, ata janë armiku natyror i baktereve. Çdo fag i vogël me pamje trekëmbëshe ka evoluar për të gjuajtur, sulmuar dhe gëlltitur një specie specifike bakteriale.
“Numri i viruseve që kemi gjetur është absolutisht i madh”, tha në një deklaratë Erica Hartmann, një profesoreshë e asociuar në Shkollën e Inxhinierisë McCormick të Universitetit Northwestern, e cila udhëhoqi studimin. “Kemi gjetur shumë viruse për të cilët dimë shumë pak dhe shumë të tjerë që nuk i kemi parë kurrë më parë. Është e mahnitshme se sa biodiversitet i pashfrytëzuar është rreth nesh”.
Studiuesit nga universiteti studiuan mostrat e biofilmave – bashkësitë e mikroorganizmave të ngjitur në një sipërfaqe – nga 34 furça dhëmbësh dhe 92 koka dushi, për të arritur në përfundimet e tyre, të cilat u botuan të mërkurën në revistën “Frontiers in Microbiomes”.
Ata kishin mbledhur tashmë mostrat nga një studim i mëparshëm që hetonte llojet e baktereve që banojnë në këto artikuj që ne përdorim çdo ditë.
“Një nga gjërat… që ne kemi filluar të jemi në gjendje të bëjmë është, nga të njëjtat lloje të mostrave, të shohim jo vetëm se cilat baktere janë atje, por në fakt cilët bakteriofagë”, tha Hartmann për CNN.
Bakteriofagët tashmë po përdoren në provat klinike si një zgjidhje e mundshme për problemin në rritje të rezistencës ndaj antibiotikëve. Duke infektuar dhe riprodhuar brenda një bakteri bujtës, fagët mund të vrasin patogjenët dhe të formojnë bazën e barnave të reja për të trajtuar bakteret rezistente ndaj antibiotikëve ose superbakteret.
“Ekziston gjithashtu interesi për të krijuar ilaçe ndoshta më të sofistikuara, në mënyrë që në vend që të merrni një antibiotik me spektër të gjerë dhe të fshini të gjithë mikrobiomën tuaj, do të jeni në gjendje të merrni këtë ilaç që do të ndikonte vetëm tek patogjeni dhe do të linte pjesën tjetër të mikrobiomit tuaj të paprekur”, tha Hartmann.
Vetëm në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 2.8 milionë infeksione rezistente ndaj antimikrobialëve ndodhin çdo vit, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë e etiketon problemin si një nga kërcënimet më të mëdha globale të shëndetit publik, pasi mund të bëjë trajtimet mjekësore standarde si kirurgjia, operacionet cezariane dhe kimioterapia, më me risk.
Duke renditur ADN-në e baktereve dhe më pas duke ekzaminuar fagët e tyre përkatës duke përdorur disa “analiza kompjuterike mjaft të komplikuara”, studiuesit “kanë qenë në gjendje të na tregojnë një sasi masive për atë që është në të vërtetë atje”, tha Joe Parker, një studiues i lartë në Qendra Kombëtare e Inovacionit të Biofilmave në Mbretërinë e Bashkuar, e cila nuk ishte e përfshirë në studim.
Në total, studiuesit thonë se identifikuan 614 viruse të ndryshëm në mostra, megjithëse Hartmann shtoi se ndoshta kishte shumë më tepër të pranishëm, pasi pothuajse çdo mostër përmbante një plejadë unike mikrobesh.
Në kokat e dushit, shumë nga mikrobet e kishin origjinën nga burimet e ujit, ndërsa ato në furçat e dhëmbëve vinin nga një përzierje e gojës së njeriut dhe mjedisit përreth.
Hartmann hodhi hipotezën se një bakter në gojën tuaj mund të transferohej në furçën tuaj të dhëmbëve, duke marrë viruset e tij me vete – dhe këto mund të vazhdojnë të zhvillohen në furçën e dhëmbëve.
“Dhe kështu, është e mundur që ka viruse që janë në thelb endemike për furçën tuaj të dhëmbëve dhe nuk gjenden askund tjetër në tokë”, tha ajo. “Ne nuk e dimë këtë, kjo është vetëm një hipotezë që mund të shpjegojë sasinë e madhe të shumëllojshmërisë”.
Ndërsa ideja që shtëpitë tona strehojnë kaq shumë krijesa të vogla mund të duket shqetësuese, Hartmann beson se ne duhet të mësojmë t’i vlerësojmë mysafirët tanë të vegjël.
“Mikrobet janë kudo gjatë gjithë kohës … Ne nuk do të ishim në gjendje të tresnim ushqimin tonë ose të shmangnim infeksionin nëse nuk do të kishim mikrobet tona”, tha Hartmann.