Koci: Sulmi ndaj Iranit, më precizi që ka parë ndonjëherë bota

Ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme, përkatësisht sulmi i forcave izraelite ndaj bazave bërthamore në Iran, si dhe kundërsulmi që ka kryer ushtria iraniane në mbrëmjen e së premtes në Tel-Aviv po diskutohen në emisionin ‘Speciale’ në RTK.

Njohësi i zhvillimeve politike, Melazim Koci, ka vlerësuar se sulmi i fundit ndaj objektivave të rëndësishme në Iran përfaqëson një nga operacionet më të sofistikuara dhe të sakta ushtarake në historinë moderne.

Koci tha se karakteristika më e veçantë e këtij sulmi ishte saktësia e jashtëzakonshme, duke shtuar se bota nuk ka parë ndonjëherë një goditje me efikasitet të tillë.

“Janë goditur liderët kryesorë të Gardës Revolucionare, të ushtrisë iraniane, madje edhe figura nga parlamenti – saktësisht në zonat ku jetonin – pa shkaktuar viktima anësore. Diçka e rrallë dhe e jashtëzakonshme në operacione ushtarake”, deklaroi ai.

Sipas tij, besohet se janë përdorur dronë të avancuar, të cilët janë futur brenda territorit të Iranit dhe më pas janë aktivizuar nga distanca, çka tregon për një përparësi teknologjike dhe operacionale të jashtëzakonshme. 

Melazim Koci theksoi se ky nuk është një sulm i zakonshëm që mbyllet brenda një apo dy ditësh, por një fushatë e mirëmenduar e cila tregon qartë vendosmërinë strategjike të Izraelit dhe të aleatëve të tij për të ndalur programin bërthamor të Iranit.

“Është e qartë se pas këtij operacioni qëndron edhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara. Kemi të bëjmë me një mesazh të prerë: Irani ose duhet të heq dorë nga programi bërthamor, ose do të përballet me pasoja edhe më të mëdha”, vlerësoi Koci.

E lidhur me këto zhvillime opinionet e tyre po i japin edhe Arben Fetoshi dhe Menduh Hysa.

Go to TOP