Misteri i vizitës urgjente të Albin Kurtit në Tiranë, Koka: Situata më serioze se është thënë
Vizita e papritur e Albin Kurtit në Tiranë dhe biseda kokë më kokë me Edi Ramën për më shumë se 2 orë, ka ngritur mistere, për shkak se kryeministri i Kosovës ka lënë në mes një konferencë në Prishtinë, për të udhëtuar me urgjencë në Tiranë.
Kjo vizitë urgjente është diskutuar edhe në studion e ‘Task Forcë’ në SYRI TV me Sonila Meçon. Duke komentuar vizitën, gazetari Bledian Koka është shprehur se një nga temat e bisedës mes Ramës dhe Kurtit ka qenë sulmi kibernetik në mënyrë masive ndaj Shqipërisë dhe më pak ndaj Kosovës.
Për Kokën, takimi urgjentë i mbajtur në Tiranë ka ardhur pas një bisede telefonike mes sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe Ramës, dhe situata duket se është më e rëndë se sa është raportuar deri më tani nga qeveritë respektive të dy vendeve.
‘Gjithë ky mister, nxitim, nevojë për tu takuar ballë për ballë, braktisja e konferencës nga ana e Kurtit, na bën të mendojmë se ndoshta situata është më serioze se është thënë dhe nëse është e tillë, do bënin mirë që autoritetet si në Kosovë dhe në Tiranë të informonin qytetarët, pasia nuk është çështja e sigurisë së dy kryeministrave, por mbarëvajtjes kombëtare.
Po të shikosh dhe reagimet që kanë ardhur edhe përtej Kosovës, ka mesazhe që flasin për nevojën për ti ulur të gjitha mosmarrëveshjet që kemi mes vetit dhe të bëhet fjalë për një unitet. Zakonisht këto bëhen kur kërcënimi është shumë serioz’, u shpreh gazetari Bledian Koka.
