Kimmich rinovon me Bayern Munich deri në 2029

Mesfushori defensiv i Bayern Munich, Joshua Kimmich, ka nënshkruar një kontratë të re deri në vitin 2029, ka konfirmuar klubi gjerman të enjten.

Prej javësh qarkullonin spekulime për të ardhmen e Kimmich, pasi ai ishte një objektiv kryesor i disa prej klubeve më të mëdha evropiane, por gjermani tashmë u është bashkuar shokëve të tij të skuadrës, Jamal Musiala dhe Alphonso Davies, me marrëveshje afatgjata me klubin bavarez. 

“Te Bayern Munich kam mjedisin më të mirë për të arritur objektivat e mia sportive”, ka thënë Kimmich në një deklaratë për klubin. “Kjo është arsyeja pse mora këtë vendim. Për momentin, nuk ka një kombinim më të mirë të shokëve të skuadrës, stafit teknik dhe ambientit të klubit për të arritur suksesin maksimal. Ndjehem si në shtëpi dhe nuk e kam mbyllur ende kapitullin tim këtu”. 

Tridhjetë vjeçari i gjithanshëm, i cili i ishte bashkuar Bayern një dekadë më parë ka fituar tetë tituj të Bundesliga, një të Champions League dhe një Kupë të Botës për Klube. 


Go to TOP