Kica godet Vetëvendosjen dhe Çekun: E kaltra s’bëhet e kuqe, ju e keni shkelur Kushtetutën për të bllokuar Prishtinën
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa R. Kica, ka reaguar ashpër ndaj zyrtarëve të Vetëvendosjes duke akuzuar Ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku, se ka ndryshuar ligje me qëllim të bllokimit të projekteve në Prishtinë.
“VV pesë vite është arsyetuar se ‘na kanë bllokuar me Gjykatë Kushtetuese’, thuajse Kushtetuta shkruhet nga opozita. Ndërkaq, refreni i Hajrullah Çekut sonte qenka ‘veç po ankohesh që t’kemi blloku’ – kur realisht Çeku ka ndryshuar ligje ekskluzivisht për të bllokuar projekte në Prishtinë,” shkroi Kica.
Ajo shtoi se ndryshe nga Qeveria Kurti, LDK-ja nuk ka pasur mundësi të ndryshojë Kushtetutën sipas dëshirës. “Çek – ne Kushtetutën nuk kemi mundur t’a ndryshojmë çdo ditë si ju ligjet! Ju e keni shkelur Kushtetutën dhe paralelisht keni ndryshuar ligje duke e ditur që ne as ato nuk i shkelim,” theksoi ajo.
Në fund, deputetja e LDK-së kritikoi abuzimin me konceptin e “trashëgimisë kulturore” duke thënë se është përdorur si mjet politik për bllokim.
“Keni abuzuar me ‘trashëgimi kulturore’ vetëm për të bllokuar projekte. Aman, na kurseni e shkoni ‘trashëgoni kulturën’ tuaj bllokuese diku tjetër. E kaltra s’bëhet e kuqe!”, përfundoi Kica. /Kosova.info/
