Këshilltari i Kurtit i përçudshëm: Për një javë i ndërron qëndrimet për ftesën e Kosovës në Samit

Për një javë, Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, ka arritur të japë dy qëndrime të ndryshme për çështjen e ftesës së Kosovës për Samitin për Demokraci nga SHBA-të.

Ai më herët fajin e vënte tek Qeveria Hoti për mosftesë, por pas raportimeve se Kosova do të jetë pjesë në këtë samit të përvitshëm, meritat po ja jep Kurtit.

“Edhe ftese per Samit, edhe foto me Kamala Harris, edhe administrimin e 1.6m dozave me vaksia, edhe shtesat per lehona e femije, edhe rritje ekonomike 9,9%, edhe edukim falas…? Joooo, kjo nuk eshte fer Kryeminister. Dicka nuk duhet te shkoj mire sepse diku duhet te te kritikojme”, deklaroi ai në ‘Twitter’.

Megjithatë, një javë më herët ai thoshte ndryshe lidhur me këtë çështje. Ai e fajësonte Qeverinë Hoti për rënie të nivelit të demokracisë.

“Nuk është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që radhitet më së ulëti në ‘Nations in Transit’ nga Freedom House me 3.14 nga 7 pikë ose 36% nga 100%. Freedom House vlerëson se këtë vit rezultati i demokracisë shënoi rënie për Kosovën për shkak të instalimit jokushtetues të qeverisë Hoti në Qershorin e vitit 2020. Pra, ashtu sikurse Raporti i Progresit edhe ky i Freedom House e të tjerë që u publikuan janë të bazuar kryesisht në vitin e kaluar”, deklaronte ai.

Lidhur me çështjen e ftesës së Kosovës në Samitin e Demokracisë në SHBA, lajmi.net sot ka marrë përgjigje nga Departamenti Amerikan i Shtetit, të cilët thanë se ftesat nuk janë publikë, për çka edhe nuk mund të komentohen.

“Si rregull i përgjithshëm ftesat nuk janë publike në mënyrë që t’u ofrohet hapësirë vendeve dhe qeverive për të përcaktuar nivelin e tyre të pjesëmarrjes. Prandaj ne nuk do të konfirmojmë apo mohojmë ftesa specifike”, deklaroi për lajmi.net një zëdhënës i DASH-it.

Go to TOP