Kehl: Dortmund mund të ketë momente për ta befasuar Realin

Drejtori sportiv i Borussia Dortmund, Sebastian Kehl, ka thënë se Real Madrid është favorit në ndeshjen finale të Champions League, por mund të ketë momente që futbollistët gjermanë të befasojnë kampionin spanjoll. 

Ai ka folur në prag të finales e cila do të zhvillohet më 1 qershor në “Wembley”.

Ish-futbollisti i njohur ka theksuar rëndësinë historike të kësaj ndeshjeje për klubin gjerman.

“Të gjithë janë të vetëdijshëm për dimensionin e kësaj ndeshje”, ka thënë Kehl. “Djemtë tanë kanë disa vite që e shohin finalen e Champions League në TV dhe tani do ta luajnë si protagonistë. Kjo është ndeshja më e rëndësishme që mund të luhet në nivel klubi”

Ai ka theksuar rëndësinë e qetësisë dhe besimit në vetvete për përballimin e ndeshjes.

“Këtë ndeshje duhet ta përballojmë drejt, pa u çmendur, por duke pasur besim te vetja dhe te skuadra. Do të ketë faza të vështira gjatë ndeshjes, por edhe momente në të cilat mund të befasojmë Realin”, është shprehur Kehl. 

Ai ka vënë në dukje përvojën e pasur të Real Madridit në finale ndërkombëtare, duke theksuar se skuadra spanjolle ka fituar të gjitha tetë finalet e Champions League dhe nuk ka humbur një finale ndërkombëtare që nga viti 1983. “Ata kanë shumë përvojë, e cila i mungon skuadrës sonë, ndaj dhe atyre iu është caktuar qartë roli i favoritit. Por ne do të përpiqemi të shfrytëzojmë mundësinë dhe do të jetë një detyrë shumë emocionuese”, ka thënë Kehl.

Ish-futbollisti që kishte humbur në finalen e Champions League si futbollist kundër Bayern Munich më 2021-13 ka shprehur optimizmin dhe vendosmërinë e skuadrës për të dhënë maksimumin.

“Ne kemi vullnetin për të dhënë gjithçka dhe gëzimin e të qenit të guximshëm sepse nuk kemi asgjë për të humbur”, është shprehur ai. 

Go to TOP