Kabinete të Logopedisë në shkolla

Për nxënësit që kanë probleme logopedike, shkolla fillore “Emin Duraku” në Prishtinë ka nisur ta zbatojë projektin e logopedisë falas. Aktualisht aty po trajtohen 13 nxënës. Ky projekt, sipas Institutit të Logopedisë, duhet të zgjerohet edhe në shkolla të tjera.

13 fëmijë të shkollës fillore “Emin Duraku” po marrin shërbime logopedike falas, përmes projektit të Institutit të Logopedisë së Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

“Është zgjedhë shkolla “Emin Duraku” për shkak të strukturës dhe gjendjes sociale të këtyre lagjeve afër”, thotë për RTK Marigona Kozmaqi, koordinatore në Institutin Kosovar për Logopedi.

Ky projekt, sipas Institutit të Logopedisë, duhet të zgjerohet edhe në shkolla të tjera.

“Në fillim prindërit kanë hezituar ti sjellin fëmijët, por pasi e kanë parë progresin tash kemi shumë interesim, edhe feed-backu nga mësuesit është i mirë”, tha Kozmaqi.

Studentja e logopedisë, Albiona Mustafaj, është e angazhuar që të punojnë me fëmijët e kësaj shkolle.

Ndërsa, drejtuesit e shkollës vlerësojnë se ky projekt ka ndihmuar shumë nxënësit.

“Nxënësit me probleme është dashtë me paguar 20 euro a ma shumë për një seancë logopedike , e këtu po i marrin falë që po u ndihmon shumë, pritet që me u zgjeruar, mos me i marrë vetëm dy shërbime por ma shumë, ndoshta në shtator”, Visar Osmani, drejtor i shkollës.

RTK ka adresuar pyetje në Ministrinë e Arsimit, por nuk ka marrë përgjigje nëse ky projekt do të zhvillohet edhe në shkolla të tjera. Ndryshe, 6 marsi shënon Ditën Botërore të Logopedisë.

Go to TOP