Jagxhiu takon Hysenin, flasin për digjitalizimin e shërbimeve publike
Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe i Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, ka pritur në takim kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin në fushën e digjitalizimit dhe avancimin e zgjidhjeve inovative në nivel lokal.
Sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua në veçanti projekti “Smart City”, që bashkëfinancohet nga MDAP dhe Komuna e Gjilanit, e i cili ka për qëllim menaxhimin më të lehtë e më efikas të hapësirave dhe shërbimeve publike, përfshirë menaxhimin inteligjent të trafikut, parkingjeve e mbeturinave, ndër të tjera.
“Këto iniciativa synojnë rritjen e efikasitetit të shërbimeve komunale, optimizimin e përdorimit të burimeve publike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët përmes aplikimit të teknologjive modern”, thuhet në njoftim.
Palët shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin edhe në fusha të tjera të transformimit digjital, në shërbim të qytetarëve. /Kosova.info/
