Izraelitët e shohin udhëheqësin e ri të Hamasit edhe më ekstremist

Izraelitët kanë edhe më pak shpresa për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Rripin Gazës, pas emërimit të Yahya Sinwar-it si udhëheqës i grupit militant Hamas. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Jerusalemi, Linda Gradstein, izraelitët e shohin atë si një figurë edhe më ekstremiste sesa paraardhësi i tij.

Pas sulmit të Hamasit kundër civilëve izraelitë më 7 tetor, Izraeli nisi operacionin për vrasjen e të gjithë udhëheqësve të grupit militant.

Ai që ka arritur të shmangë vrasjen është Yahya Sinwar, njeriu që tani drejton grupin islamik. Ai besohet se fshihet nën tokë në një tunel në Gazë, duke përdorur si mburojë pengjet izraelite.

“Sot,Yahya Sinwari drejton byronë politike dhe krahun ushtarak të Hamasit. Kjo është hera e parë që i gjithë pushteti bie në duart e një personi që ndoshta është më ekstremisti në grup”, thotë Gershon Baskin, ish negociator për lirimin e pengjeve.

Ai nuk pret ndonjë ndryshim të madh në pozicionin e Hamasit në negociatat për armëpushimin që do t’i jepte fund luftës dhe do të mundësonte lirimin e të gjitha pengjeve. Ai thotë se Sinwar-i njihet si ekstremist.

“Nuk ka diskutim se ai është ekstremist, është shumë fetar, ka një pikëpamje të shtrembëruar mbi atë se çfarë është islami. Ai beson se detyra më e rëndësishme në islam është të jesh martir për Palestinën”, thotë zoti Baskin.

Izraeli e ka dënuar Sinwar-in me burgim të përjetshëm më 1989 për organizimin e një sulmi që vrau dy ushtarë izraelitë dhe për vrasjën e katër palestinezëve që bashkëpunonin me Izraelin.

Ai ka qëndruar për më shumë se 20 vite në burgjet izraelite, e flet rrjedhshëm gjuhën hebraike dhe e sheh veten si ekspert të Izraelit. Ai ishte mes më shumë se një mijë të burgosurve të Hamasit, që u liruan më 2011, në këmbim të ushtarit të rrëmbyer izraelit Gilad Shalit.

Zyrtarët izraelitë thonë se janë të vendosur ta vrasin atë, si edhe udhëheqësit e tjerë të Hamasit të përfshirë në sulmet e 7 tetorit, sulme këto që nxitën fillimin e luftës.

“Ndryshimi i pozitës së tij, jo vetëm që nuk na pengon ta ndjekim, por na motivon të bëjmë përpjekje për ta gjetur, për ta vënë në shënjestër dhe për ta zëvendësuar edhe një herë kreun e byrosë politike”, thotë Komandanti i Ushtrisë izraelite Herzl Halevi.

Në rrugët e Gazës, opinioni është i ndarë nëse emërimi i Sinwar-it do t’i afrojë të dyja palët drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës 10 mujore.

“Emërimi i tij do ta zgjasë luftën edhe më shumë, sepse izraelitët nuk e duan. Ata duan një figurë politike që bën lëshime. Kemi dëgjuar se Sinwari është kokëfortë dhe mund të mos pranojë lëshime”, thotë Bashir Qarqaz, banor i Gazës.

Por të tjerë thonë se emërimi i Sinwar-it mund ta bëjë më të lehtë arritjen e një marrëveshjeje me Izraelin.

“Shpresojmë se kjo do të përshpejtojë përfundimin e luftës, sepse ai jeton brenda Gazës dhe e njeh procesin negociues”, thotë Hani al-Qano, një banor tjetër.

Pas 10 muaj lufte, civilët në të dyja anët e konfliktit thonë se pavarësisht se kush është në krye të Hamasit, ata thjesht duan fundin e luftimeve.

Go to TOP