Izraeli sulmon kampin e të zhvendosurve
Të paktën 16 persona kanë vdekur e 23 janë plagosur nga një sulm izraelit në një kamp të të zhvendosurish në Khan Younis në Gazë.
Sulmi ka ndodhur gjatë natës në kohën derisa njerëzit ishin në gjumë. Ky kamp, nga ushtria izraelite, konsiderohej të ishte në të ashtuquajturën zonë të sigurt.
Agjencia e lajmeve AFP ka raportuar se në 24 orët e fundit, si pasojë e sulmeve ajrore izraelite, janë vrarë të paktën 25 persona.
Ndërsa Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se trupat izraelite do të mbeten nëpër zonat e sigurisë në Gazë edhe pas luftës. Katz ka thënë se këto zona do të shërbejnë si ato që njihen si tampon zona për të mbrojtur komunitetet hebreje.
Izraeli do të vazhdojë me bllokadën e ndihmës humanitare gjashtëjavore për t’i bërë presion Hamasit për lirimin e pengjeve, pavarësisht paralajmërimeve të agjencive të OKB-së për pasojat shkatërrimtare.
Të mërkurën, organizata Mjekët Pa Kufij, u bë organizata e fundit ndërkombëtare që ka dhënë alarmin për ndikimin e kësaj fushate të Izraelit, duke shtuar se Gaza është shndërruar në një varrezë masive për palestinezët dhe ata që po u dalin në ndihmë.
