Ish-komandanti i FSK-së: Ushtarët duhet të përgatiten për luftë, jo për të gatuar ushqim
Gjeneral Kadri Kastrati, ish-komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka kritikuar ashpër situatën e fundit lidhur me furnizimin me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke e cilësuar si një turp për vendin. Gjatë një interviste në Skype për emisionin “Ballkan Update”, ai tha se ndjehej jashtëzakonisht i turpëruar nga qeveria, veçanërisht kryeministri Albin Kurti, për mënyrën se si është trajtuar çështja.
Sipas Kastratit, roli i ushtarëve nuk është të gatuajnë, por të përgatiten për misione dhe luftë. Ai theksoi se gjatë kohës së luftës me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisht mungesës së institucioneve apo përkrahjes qendrore, ushtarët ishin furnizuar me ushqim. “Sot, kur kemi shtet dhe qeveri, është e papranueshme që ushtarët të vuajnë për ushqim. Kjo është një marri dhe një turp i madh për institucionet e Kosovës,” u shpreh ai.
Gjenerali fajësoi të gjithë zinxhirin komandues për këtë situatë, duke theksuar se mungesa e planifikimit ka qenë e pranishme në të gjitha nivelet, nga ministri deri te komandantët. “Ushtarët nuk duhet të përgatiten për kuzhina, por për misione më të avancuara dhe për luftë,” përfundoi ai.
