Ish-bashkëshorti i Drenusha Latifit intervistohet nga policia, avokatja: Asaj po i rrezikohet jeta

Atilla Kardesh, ish-burri i ish-miss Kosovës, Drenusha Latifi, është intervistuar nga policia në cilësinë e të dyshuarit, pasi i njëjti ka shkelur vendimin e gjykatës që të mos i afrohet Latifit.

Lajmin e ka konfirmuar avokatja e Latifit, Saranda Keqekolla, e cila tha se ish-bashkëshorti i Latifit mbrëmë në orët e vona e ka bërë një postim në rrjete sociale në lidhje me të.

“Ajo [Drenusha] ka shkuar ta raportojë herët në mëngjes rastin. Ai është ftuar të intervistohet në cilësinë e të dyshuarit. I njëjti e ka gënjyer policinë se është larg Kosovës. Në ora 15:00 ka pasur t’i marrë fëmijët, pasi gjykata ia ka besuar fëmijët Drenushës, ndërsa të drejtën e kontaktit ia ka caktuar dy herë në muaj ish-bashkëshortit”.

“Sot ka qenë dita kur ai është dashur t’i marrë fëmijët në Qendrën për Punë Sociale në Fushë Kosovë. Drenusha edhe pse ka qenë në dijeni se policia e ka ftuar për intervistim, ajo i ka çuar fëmijët në qendër. Duke shkuar në qendër, qendra e ka thirrë dhe i ka thënë se ‘a je duke ardhur sepse ai ka ardhur për t’i marrë fëmijët’”.

“Ajo më ka kontaktuar dhe unë i kam thënë shko në polici. Pas shumë insistimeve, policia e ka dërguar një patrullë në Qendrën për Punë Sociale për ta marrë ish-bashkëshortin”, tha ajo për Klankosova.tv.

Tutje, avokatja Keqekolla ka thënë se jeta e klientes së saj, Drenusha Latifit, është në rrezik, pasi sipas saj ish-bashkëshorti e ka humbur në tërësi kontrollin.

“Mendoj që Drenushës po i rrezikohet edhe jeta. Drenusha s’ka pranuar t’ia japë fëmijët, pasi ajo e ka ditur se pasaportat suedeze të fëmijëve i ka ai dhe e ka bërë plan se do t’i marrë fëmijët e t’i çojë në Suedi”.

“Policia në vazhdimësi ka hezituar ta kontaktojë edhe gjyqtaren e procedurës penale pasi ndaj tij ka dy masa, njëra në procedurë civile dhe një në procedurë penale. Për procedurë civile është hapur rasti “mosrespektim i vendimit gjyqësor”, por ai s’e ka respektuar as vendimin e penales, i cili thotë se “nëse i njëjti nuk e përfill masën e ndalimit të afrimit, i zëvendësohet me masën e paraburgimit” dhe kjo nuk po ndodh”, tha ajo.

Avokatja tutje tha se institucionet e drejtësisë po dështojnë në rastin e Drenusha Latifit.

Go to TOP