Irani shpall datën e zgjedhjeve presidenciale pas vdekjes së Raisit

Irani ka shpallur pesë ditë zie pas vdekjes së presidentit Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, dhe personave të tjerë që gjendeshin në helikopterin që u rrëzua. Shteti po ashtu ka caktuar 28 qershorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.

Autoritetet iraniane njoftuan se kanë vendosur që varrimi i Raisit të bëhet në Teheran më 22 maj.

Njoftimi vjen pasi lideri suprem, Ajatollah Ali Khamenie, shpalli pesë ditë zie, pasi trupat e pajetë të Raisit dhe Amir-Abdollahianit u gjetën në vendin ku ishte rrëzuar helikopteri në verilindje të Iranit.

Ndërkaq, Uashingtoni tha se për herë të parë Teherani ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara për incidentin me helikopter, por e kishte të pamundur t’i ofronte ndihmë për arsye logjistike.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, nuk specifikoi se si ishte bërë kërkesa apo e çfarë natyre ishte. ShBA-ja dhe Irani nuk kanë raporte diplomatike.

Televizioni shtetëror i Iranit raportoi më 20 maj se helikopteri u rrëzua si pasojë e motit të lig. Është e paqartë se sa njerëz ndodheshin në bordin e helikopterit kur ai u rrëzua.

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fevropaelire%2Fposts%2Fpfbid0s6TXuLtf67WpMjUPntM3NjERjNLZ2muJDyvhhVByzuzh4f7zMvnterg4Q77bkFXCl&show_text=true&width=500&is_preview=true Khamenei gjithashtu e emëroi zëvendëspresidentin e parë, Mohammad Mokhber, si president të përkohshëm. Ligji iranian thekson se, nëse vdes presidenti, atëherë pushteti i kalohet zëvendëspresidentit të parë.

Një këshill, i përbërë nga kryetari i Parlamentit, kryetari i Gjyqësorit dhe nga zëvendëspresidenti i parë, duhet ta organizojë emërimin e presidentit të ri brenda 50 ditëve.

Zëvendësministri i Jashtëm, Ali Bagheri, u emërua ministër i Jashtëm në detyrë, raportuan mediat shtetërore iraniane.Qeveritë e huaja, më 20 maj, shprehën ngushëllime dhe solidarizim. Libani shpalli tri ditë zie për të nderuar Raisin. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Raisi dhe Amir-Abdollahian ishin të dy “miq të vërtetë dhe të besueshëm të vendit tonë”.

Hamasi, i cili është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, lëshoi një telegram ngushëllimi dhe falënderoi Raisin për “përpjekjet e tij të palodhura për t’u solidarizuar” me popullin palestinez.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, lëshoi një deklaratë me “ngushëllime të sinqerta”, duke shtuar “mendimet tona janë me familjet”.

Ekipet e shpëtimit, të ndihmuara nga disa qeveri të huaja, bënë përpjekje të mëdha për ta gjetur helikopterin, i cili ishte rrëzuar si pasojë e gjendjes së keqe atmosferike në bjeshkët e vendit më 19 maj.

Helikopteri i Raisit po kthehej nga qyteti Tabriz kur u rrëzua në afërsi të qytetit Jolfa. Televizioni shtetëror e kishte përshkruar si “ulje të vrazhdët”, por disa media raportuan, me burime qeveritare, se helikopteri u rrëzua derisa po e kalonte një zonë malore.

Qeveria e Iranit tha se ai ishte njëri nga tre helikopterët që po fluturonin së bashku dhe se dy të tjerët ateruan në mënyrë të sigurt në Tabriz.

Raisi dhe Amir-Abdollahian udhëtuan në Azerbajxhan më 19 maj, për ta përuruar një digë me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Aliyev shkroi në rrjetin social X se Azerbajxhani u “shqetësua pafundësisht” nga lajmi për rrëzimin e helikopterit të Raisit.

Raisi u zgjodh president më 2021 dhe prej atëherë i kishte ashpërsuar kufizimet ndaj iranianëve, përmes zbatimit të detyrueshëm të ligjeve të moralit dhe përmes një lufte të përgjakshme kundër protestave antiqeveritare, të cilat ishin nxitur nga vdekja e Mahsa Aminit në paraburgimin policor për gjoja shkeljen e ligjit për bartjen e shamisë së kokës.

Ai kishte bërë përpjekje të mëdha në bisedimet bërthamore me fuqitë botërore, duke e lejuar vendin e vet që njëkohësisht ta rrisë dukshëm edhe programin e vet për uranium të pasuruar.

Go to TOP