Inzaghi është dëgjuar në tunel duke i paralajmëruar lojtarët e tij për Harvey Elliott

Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, është dëgjuar duke e paralajmëruar Marcelo Brozovicin në lidhje me Harvey Elliottin, para fillimit të ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit.

Këtë gjë, trajneri e kishte bërë në tunel para sfidës në Giuseppe Meazza, të cilën skuadra angleze e fitoi me rezultat 2-0 me golat e Roberto Firmino dhe Mohamed Salah.

Inzaghi është kapur nga kamera pak para fillimit të nxehjes së lojtarëve, ndërsa Mediaset Infinity ka arritur të incizojë një pjesë të fjalëve që trajneri u thoshte lojtarëve të tij.

(Foto: Instagram/harveyelliott07)

Ai i është kthyer Brozovicit duke i thënë: “Mbaj një sy anash, ndoshta e kanë futur atë djalosh në mesfushë që të të markojë një me një”.

Strategu italian i është referuar 18-vjeçarit Elliott, i cili debutoi në Ligën e Kampionëve në ndeshjen ndaj Interit duke u bërë lojtari më i ri i Liverpoolit që starton në një ndeshje të garës më të madhe për klube (me 18 vjet e 318 ditë).

(Foto: Screenshot/BT Sport)

Futbollisti i Liverpoolit do t’i mbushë 19 vjet në prill, ndërsa tashmë ka regjistruar gjashtë paraqitje në të gjitha garat këtë sezon duke shënuar një gol në Kupën FA.

Edhe pse roli i tij primar është në anën e djathtë, ai mund të luajë edhe në krah të majtë ose në një rol më të thellë.

Go to TOP