“Interesi i NATO-s është për ta pasur sa më shpejt Kosovën në gjirin e saj”

Diplomati nga Shqipëria, Arben Çejku ka thënë se plani franko-gjerman është shumë i rëndësishëm për Kosovën, pasi përveç normalizimit të marrëdhënies me Serbinë nënkupton normalizim edhe me BE-në.

“Pavarësisht që ky quhet plani franko-gjerman, kjo është një platformë e ShBA-së e prezantuar nga Franca e Gjermania. Këtu nuk bëhet fjalë për një marrëveshje dhe marrëdhënie reciproke mes Kosovës me Francën apo Gjermaninë, por bëhet fjalë për normalizim të marrëdhënies së Kosovës edhe me Bashkimin Evropian. Sepse marrëdheniet e Kosovës me BE-në kanë ngërçet e veta, p.sh liberalizimi i vizave”, ka thënë ai.

Sipas tij nuk ka alternativë pos nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

“Me mosnënshkrimin e marrëveshjes, me mosnormalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, cila është alternativa e Kosovës. Unë mendoj që më e mira është të tejkalohen pengesat dhe energjitë politike të përdoren për të avancuar Kosova aty ku duhet”, ka shtuar ai

Çejku thotë se është interes i NATO-s për ta pasur Kosovën në gjirin e saj,

“E përkthyer në gjuhën e nevojës së një paqeje të garantuar në Ballkan, vizavi me atë që ndodh në Ukrainë, interesi i NATO-s është për ta patur sa më parë Kosovën në gjirin e saj. Dhe nuk mund ta pranojë Kosovën kur disa shtete anëtare ende nuk e kanë njohur”, ka thënë ai.

Prandaj sipas tij “presioni miqësor” që po bëhet për themelimin e Asociacionit, ka për synim përfshirjen sa më të shpejt të Kosovës në “trenin e integrimeve euroatlantike”

“Dhe ky presion miqësor që bëhet për Kosovën është për ta përfshirë sa më shpejt në trenin e integrimeve euroatlantike, sepse është shumë e lëhtë po të refuzohen të gjitha ato, marrëveshja me Serbinë, ShBA-në, Amerikën, po thirremi më sovranitet e mëvetësinë e vendimeve tona, dakord por çfarë do të ndodhë pas një viti apo tre vjetësh, cila do të jetë perspektiva e Kosovës”.

“Përballë izolimit dhe konfliktualitetit me miqtë e partnerët, mendoj se duhet të shfrytëzohen energji pozitive dhe politikanë të caktuar nuk duhet të goditen sot kur kanë nevojë për mbështetje”, ka shtuar Çejku.

Go to TOP