Infatino paralajmëron kundërshtarët e Botërorit çdo dy vite
Kundërshtarët e idesë së FIFA-s për mbajtjen e Botërorit çdo dy vjet duket se kanë frikë se do të rrëzohen nga maja e futbollit botëror, tha të premten presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Fjalimi i Infantinos para drejtuesve e futbollit afrikanë ishte një kritikë e qartë ndaj Evropës dhe Amerikës së Jugut, që kanë dominuar çdo Kampionat Botëror dhe po kërcënojnë me bojkot të turneve dyvjeçarë.
“Ata që janë kundër janë ata që gjenden në krye”, u tha Infantino zyrtarëve të Konfederatës së Futbollit të Afrikës në takimin e mbajtur në Kajro. “Ndodh në çdo sektor të jetës, kur ka reforma dhe ndryshime. Ata që janë në krye nuk duan që asgjë të ndryshojë. Ata kanë frikë, ndoshta, se nëse diçka ndryshon pozicioni i tyre drejtues është në rrezik”.
Evropa dhe Amerika e Jugut kanë siguruar që ekipe të tyre të luajnë në të gjithë 21 Botërorët, që nga i pari i mbajtur në vitin 1930. Të paktën 18 nga 32 përfaqësueset në turneun e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Katar janë nga Evropa e Amerika e Jugut.
“Ne e kuptojmë këtë, i përgëzojmë dhe i duartrokasim që kanë qenë kaq të suksesshëm në arritjen e majës së futbollit botëror”, tha Infantino. “Kjo është fantastike dhe ata janë shembull për të gjithë. Por në të njëjtën kohë ne nuk mund ta mbyllim derën për të tjerët”.
Asnjë ekip afrikan nuk ka arritur në gjysmëfinale të Kupës së Botës për meshkuj dhe kontinenti ka vetëm pesë nga 32 përfaqësueset pjesëmarrëse. Ky numër do të rritet të paktën në nëntë, kur Botërori me 48 skuadra do të bëjë debutimin në vitin 2026.
Infantino ka nxitur idenë e mbajtjes së Botërorit çdo dy vjet për të ndihmuar rajonet e tjera të zhvillohen dhe të zvogëlojnë hendekun – duke u dhënë vendeve më shumë shanse për t’u kualifikuar dhe lojtarëve më shumë mundësi për të luajtur në skenën më të madhe. Një Kupë Botërore shtesë për meshkuj në një cikël katërvjeçar ka të ngjarë të shtojë rreth tre miliardë dollarë në të ardhurat e FIFA-s dhe të rrisë fondet për 211 federatat e saj anëtare dhe gjashtë organet kontinentale.
