Incidenti në Tivat: Serbët e kthyer në Beograd me precedentë krimnalë
Autoritetet malazeze të sigurisë kanë ndaluar hyrjen dhe kanë kthyer në Beograd 87 shtetas serbë që kishin mbërritur në aeroportin e Tivatit me një fluturim çarter të “Air Serbia”, vetëm pak orë para hapjes së Samitit BE–Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në këtë qytet bregdetar.
Sipas njoftimeve të Drejtorisë së Policisë dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Malit të Zi, të cituara nga Pobjeda.me, masa është marrë pas vlerësimeve operative të rrezikut, të cilat, siç thuhet, kanë treguar se prania e këtyre personave mund të përbënte rrezik potencial për sigurinë publike dhe mbarëvajtjen e qetë të samitit ndërkombëtar.
Fluturimi çarter nga Beogradi ka zbritur në Tivat në orën 10:53, ndërsa pas disa orësh qëndrimi në aeroport, pasagjerët janë kthyer në Serbi në orën 15:53 me të njëjtin avion.
Masa sigurie në prag të samitit
Autoritetet malazeze theksojnë se bëhet fjalë për një periudhë me masa të shtuara sigurie, për shkak të pranisë së liderëve evropianë dhe delegacioneve të larta në Samitin BE–Ballkani Perëndimor.
Në deklaratën e përbashkët të institucioneve të sigurisë në Mal të Zi thuhet se janë identifikuar persona që paraqesin rrezik për sigurinë dhe, në bazë të ligjit për të huajt dhe vlerësimeve të rrezikut, është marrë vendim për ndalimin e hyrjes së tyre në territor.
Autoritetet theksojnë se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim ndërinstitucional dhe kanë për qëllim garantimin e stabilitetit, sigurisë së qytetarëve dhe mbarëvajtjes së samitit.
Ndërkohë, mediat në rajon raportojnë se në disa rrjete sociale janë publikuar emrat e disa prej pasagjerëve të kthyer.
Po ashtu, sipas njoftimeve, janë mbledhur të dhëna operative dhe inteligjente që, sipas autoriteteve, tregojnë se këta persona mund të përbëjnë rrezik për sigurinë e brendshme dhe kombëtare, në përputhje me Ligjin për të Huajt.
Nga ana tjetër, vërehet se as presidenti serb Aleksandar Vuçiç, as Qeveria e Serbisë dhe as Ministria e Punëve të Brendshme e atij vendi nuk kanë dalë me deklaratë zyrtare për këtë rast, çka në disa raportime është interpretuar si mungesë sqarimi për qëllimin e fluturimit çarter.
I pari që foli në Serbi ishte anëtari i Parlamentit serb Borko Stefanoviq, duke theksuar se aktivitetet e Vuçiqit në rajon dhe “rruga e tij evropiane” shihen më së miri në shembullin, siç deklaroi ai, të fluturimit kriminal për në Tivat që ai personalisht e dërgoi.
“Ai dërgoi 90 persona, shumë prej të cilëve me precedentë kriminalë, me një fluturim çarter, që ishte paguar në mënyrë të dyshimtë, për të siguruar në mënyrë informale Vuçiqin në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat…Duket se Aleksandar Vuçiq nuk e kupton se jashtë vendit nuk mund të sillet si në shtëpi ku, nën qeverinë e SNS-së, nuk dihet më kush është polic dhe kush është kriminel” deklaroi Stefanoviq.
Ai gjithashtu vlerësoi se Vuçiç “nuk mund ta durojë që nuk është as afër të qenit i rëndësishëm, as kryesori në Samitin e Tivatit”.
“Ky skandal dhe turp për Serbinë është fytyra e vërtetë e radikalit Vuçiç, i cili do të bëjë gjithçka për të dëmtuar marrëdhëniet me fqinjët dhe për të krijuar konflikte kudo që të mundet, dhe ky është pikërisht një tregues i rrugës progresive evropiane joekzistente dhe shkatërrimit të çdo stabiliteti në Serbi dhe rajon”, deklaroi Stefanoviq.
Drejtoria e Policisë së Malit të Zi ka njoftuar se gjatë kontrolleve të sigurisë janë kryer verifikime të detajuara të pasagjerëve dhe janë zbatuar procedurat standarde të vlerësimit të rrezikut.
Sipas deklaratës zyrtare, disa persona janë trajtuar pas kontrollit, ndërsa është raportuar edhe sekuestrimi i disa materialeve, përfshirë një baner me mbishkrim politik dhe pajisje komunikimi. Këto pretendime janë pjesë e hetimeve dhe nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Sipas raportimeve të “Pobjeda”, disa persona nga ky grup dyshohet se kanë marrë pjesë në tubime publike me rrezik të lartë sigurie, ndërsa disa prej tyre kanë precedentë penalë për vepra me elementë dhune. Po ashtu, thuhet se gjatë kontrolleve janë gjetur një baner me mbishkrimin “Serbia fiton”, pajisje komunikimi në distancë të gjatë dhe një stacion radioje detar.
Gjithashtu, policia ka sekuestruar dy autobusë me targa serbe, të cilët dyshohet se ishin planifikuar për transport të mëtejshëm të pasagjerëve, por nuk janë dhënë detaje shtesë për destinacionin apo përdorimin e tyre.
Zyrtarë të sigurisë në Mal të Zi deklarojnë se sistemi institucional ka reaguar në mënyrë profesionale dhe të koordinuar, duke parandaluar çdo rrezik potencial para dhe gjatë samitit.
Zëvendëskryeministri për Sigurinë, Mbrojtjen, Luftën kundër Krimit dhe Politikën e Brendshme Aleksa, tha se institucionet “po funksionojnë dhe po reagojnë në kohë”, duke theksuar se vendi mbetet i hapur për vizitorë dhe delegacione zyrtare, por nuk lejon hyrjen e personave që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare. Ai vlerësoi se veprimi i djeshëm në Aeroportin e Tivatit tregoi se institucionet malazeze të sigurisë veprojnë profesionalisht, të koordinuara dhe në përputhje me ligjin.
Bečić tha se qytetarët duhet të dinë se sistemi po funksionon dhe se institucionet kompetente monitorojnë, kontrollojnë, vlerësojnë dhe reagojnë para se çdo rrezik të bëhet problem.
Ai theksoi se Mali i Zi po pret një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në historinë e tij të fundit dhe se autoritetet kompetente kanë bërë përpjekje maksimale për një kohë të gjatë për të siguruar që takimi të zhvillohet në mënyrë të sigurt dhe në rendin më të mirë të mundshëm.
Beçiç theksoi se Mali i Zi është një vend i hapur dhe një partner i përgjegjshëm, por askush nuk mund të hyjë në vend pa verifikim, një arsye të qartë për qëndrim dhe pajtueshmëri me procedurat e sigurisë që zbatohen për ngjarjet e nivelit më të lartë ndërkombëtar.
Për shkak të zhvillimit të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, autoritetet kanë vendosur masa të shtuara sigurie në disa qytete, përfshirë Tivat, Kotor, Budva dhe Cetinje.
Masat përfshijnë ndalimin e përkohshëm të përdorimit të dronëve, monitorimin e zonave publike, si dhe kufizime të përkohshme në qarkullimin rrugor dhe detar në disa segmente strategjike.
Autoritetet kanë bërë thirrje për mirëkuptim nga qytetarët dhe turistët për shkak të këtyre kufizimeve të përkohshme.
Ngjarja ka nxitur reagime të ndryshme në opinionin publik në rajon, përfshirë interpretime politike nga aktorë opozitarë në Serbi, të cilët kanë akuzuar qeverinë e tyre për mungesë transparence lidhur me organizimin e fluturimit.
Megjithatë, autoritetet malazeze insistojnë se vendimi është marrë ekskluzivisht mbi baza sigurie dhe në përputhje me ligjin, duke theksuar se prioritet mbetet mbrojtja e stabilitetit dhe mbarëvajtja e samitit ndërkombëtar.
Hetimet dhe verifikimet lidhur me rastin janë ende në vazhdim, ndërsa pritet që institucionet kompetente të dalin me informacione shtesë në ditët në vijim.
