Ilir Meta thotë se opozita do të ketë vetëm një kandidat në çdo bashki

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se synimi kryesor i kësaj partie është fitorja e ndryshimit në 14 maj.

Meta theksoi se, “përveç denoncimeve dhe skandaleve të panumërta ku është zhytur qeveria e rilindjes ne i kemi kushtuar vëmendjen maksimale dhe protestave dhe zgjedhjeve që po vijnë”.

“Takohemi në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm me drejtues të opozitës, por dhe me grupe të interesit, por dhe me qytetarë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Pritet një uragan në kutitë e votimit”, tha Meta.

Sa i përket opozitës, Meta u shpreh se, “fronti opozitar ka qenë dhe mbetet i hapur për ata që nuk janë të kapur nga Rama. Procesi ka vijuar me primaret, nuk ka hapje më të madhe se kaq. Objektivi i Partisë së Lirisë, triumfi i ndryshimit nga Tropoja në Sarandë, vendosja e demokracisë nga Tropoja në Sarandë”.

Meta u shpreh më tej se “opozita do të ketë vetëm një kandidat në çdo bashki, kandidatë që janë zgjedhur nga primaret, një proces shumë transparent. Kemi tre super kandidatë për Tiranën, Elbasanin dhe Durrësin”.

“Synimi kryesor është fitorja e ndryshimit në 14 maj për të ndaluar shpopullimin e vendit dhe për të mbyllur një periudhë, më të errtën e qeverisjes vendore në vend, atë të pushtetit të rilindjes”, vijoi ai më tej.

Meta nënvizoi se, “flamuri i ndryshimit do të qëndrojë lart në Shkodër”.

Sa i përket drejtësisë, Meta tha se, “drejtësia me regji ka dalë boje prej kohësh në Shqipëri. Nën qeverisjen e Edi Ramës dhe rilindjes, vendi ka pësuar rënien me të fortë nga Transparency International për sa i përket korrupsionit. Deri më tani janë humbur 26 vende”./Atsh

Go to TOP