Ilir Daja i jep fund aventurës te Ballkani pas tri vitesh suksesi

Ilir Daja ka mbyllur kapitullin e tij në drejtimin e FC Ballkanit, pas një periudhe pothuajse trevjeçare të mbushur me suksese. Trajneri tiranas, i cili udhëhoqi Ballkanin drejt tre titujve kampioni, një Kupe dhe një Superkupe të Kosovës, është larguar përfundimisht nga klubi suharekas.

Daja nuk arriti ta kualifikojë Ballkanin në fazën e grupeve të garave evropiane këtë vit, një arritje që kishte realizuar dy herë radhazi më parë. Largimi i tij u bë i ditur pas humbjes ndaj Malishevës me rezultat 3-2, ku trajneri është përshëndetur me lojtarët e tij.

“Ilir Daja ka përshëndetur ekipin pas ndeshjes me Malishevën dhe është zyrtarisht i larguar nga klubi,” deklaruan drejtuesit e Ballkanit.

Trajneri tiranas pritet të vazhdojë karrierën e tij te Dinamo Tirana, klub me të cilin ka qenë i lidhur kohët e fundit. Klubi suharekas pritet të dalë me një komunikatë zyrtare për këtë çështje në orët në vijim. /Kosova.info/

Go to TOP