IKD publikoi raportin: Përgjegjësia e mediave ndaj komenteve të paligjshme

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahjen e National Endowment for Democracy (NED) dhe Rockefeller Brothers Fund, ka publikuar raportin me titull: “Përgjegjësia e mediave ndaj komenteve të paligjshme”.

Betim Musliu, zëvendësdrejtor ekzekutiv në IKD, theksoi se komentet në lajmet e mediave sociale janë bërë një burim kryesor i gjuhës së urrejtjes, të fyerjeve dhe kërcënimeve. Ky problem vazhdon të diskutohet në publik, por deri tani nuk janë ndërmarrë masa për ta parandaluar.

“Është e nënkuptueshme se për komentet e postuara, përgjegjës janë komentuesit. Por, në këtë situatë, kanë përgjegjësi edhe mediat, në lajmet e të cilave publikohen komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerjeve, linçimit publik, etj”, tha Musliu gjatë konferencës.

Musliu theksoi se sipas jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mediat kanë përgjegjësinë të kontrollojnë komentet e paligjshme që publikohen në rrjetet sociale.

“Jurisprudenca e GjEDNj ka theksuar se në raste të tilla, pa u përjashtuar përgjegjësia e komentuesve, përgjegjësi për komentet e paligjshme, nën kushte të caktuara, mbajnë edhe publikuesit e postimeve, në të cilat publikohen komentet e paligjshme. Kjo edhe nëse përmbajtja e postuar nuk ka asnjë të metë. Në raport me komentet e paligjshme, mediat janë të obliguara që të ndërmarrin masa adekuate për të larguar pa vonesë komentet e paligjshme të bëra në publikimet e tyre. Këto standarde të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, obligative në rendin kushtetues kosovar, janë objekt i këtij punimi”, shtoi Musliu. 

Musliu vuri në dukje se me rritjen e përdorimit të rrjeteve sociale, të gjitha mediat po shpërndajnë përmbajtje aty. Tha se fyerja dhe gjuha e urrejtjes kanë kaluar në normë në mediat sociale, duke e bërë menaxhimin e këtij problemi të vështirë për mediat në Kosovë, për shkak të numrit të madh të përdoruesve të internetit.

“Rritja e përdorimit të rrjeteve sociale mund të jetë një prej indikatorëve të cilët kanë ndikuar në rritjen e këtij fenomeni. Si rrjedhojë, në shumë fusha të ndryshme ka pasur rritje të dezinformimit, keq-informimit, gjuhës së urrejtjes seksiste, gjuhës së urrejtjes raciste, ofendimeve, influencës nga jashtë, e shumë fenomene me të cilat ndikohen qytetarët dhe krijohen opinione të gabueshme, por edhe ndasi politike”, u shpreh ai.

Sipas Musliut, komentet ofenduese dhe linçuese në rrjetet sociale janë bërë një fakt i njohur, shpesh pa lidhje me çështjen e raportuar. Ai theksoi se përdoret hapur gjuhë ofenduese ndaj palëve të përfshira, madje edhe ndaj qytetarëve pa pozita publike.

Në fund, Musliu u shpreh se komentuesit mbajnë përgjegjësi ligjore dhe se çdo person i fyer ka të drejtë të kërkojë kompensim përmes mekanizmave të Ligjit.

Kurse, Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD tha se përgjegjësia e mediave shtrihet në rastet kur komentet qartazi përmbajnë gjuhë të paligjshme.

Ai tha se jo çdo koment mund të konsiderohet si “koment i paligjshëm”, përkundër faktit se një analizë e detajuar ligjore apo një proces gjyqësor do të mund të cilësonte komentin si të tillë.

“Kështu, GjEDNj theksoi se si “komente të paligjshme” konsiderohen ato komente të cilat “haptazi” janë të paligjshme dhe që nuk kërkojnë një analizë ligjore apo gjuhësore. Kështu, rast pas rasti, mund të konstatohet se cilat janë komentet të cilat haptazi janë të paligjshme, e të cilat cenojnë të drejtat e personave të tjerë, përbëjnë gjuhë të urrejtjes apo nxitje për dhunë”, u shpreh Shala.

Sipas Shalës, në përputhje me kuptimin e GjEDNj-së, mediat nuk kanë detyrimin të analizojnë vërtetësinë e çdo komenti, por janë përgjegjëse për ato që janë hapur të paligjshme. Ai vuri në dukje se kontrolli i komenteve të tilla mund të krijojë vështirësi praktike për mediat, duke marrë parasysh numrin e madh të lajmeve dhe komenteve, çka e bën të vështirë krijimin e mekanizmave për të larguar komentet pa vonesë.

“Megjithatë, me rastin e trajtimit të kësaj çështje, GjEDNj ka theksuar se mundësia e një personi që afektohet nga gjuha e urrejtjes që të monitorojë vazhdimisht internetin është më e vogël sesa mundësia e mediave për të kontrolluar dhe hequr me shpejtësi komentet e paligjshme. Pra, sipas GjEDNj-së, mediat e kanë më lehtë të kontrollojnë komentet e bëra në lajmet e publikuara në platformat e tyre sesa personat e ndryshëm të kontrollojnë në të gjitha platformat nëse ndaj tyre janë postuar komente të paligjshme”, tha Shala.

Ai tha se GjEDNj ka theksuar se shteti nuk shkel nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nëse mban përgjegjëse mediat për komente të paligjshme, për sa kohë që mediat nuk marrin masa për t’i fshirë ato menjëherë.

“Kështu, sipas jurisprudencës së GjEDNj, mediat duhet të ndërtojnë mekanizma adekuat për të kontrolluar komentet e paligjshme. Këta mekanizma, duhet të identifikojnë komentet e paligjshme të postuara në lajmet e postuara nga ana e tyre. Mekanizmat duhet të jenë në gjendje që pa vonesë, edhe pa njoftim nga ana e një viktime të supozuar, të fshijnë komentet e paligjshme”, u shpreh Shala.

Ai shtoi se nuk ka masa specifike që mediat duhet të ndjekin për të identifikuar dhe fshirë komentet e paligjshme, duke ua lënë atyre lirinë për të zgjedhur mekanizmat e duhur. Nuk ka një afat të caktuar për periudhën midis publikimit dhe fshirjes së komenteve, por GjEDNj thekson se duhet të bëhet “pa vonesë.”

Në fund, Shala kërkoi që Qeveria dhe Kuvendi të miratojnë një ligj të përshtatshëm që adreson përgjegjësinë e mediave për komente të paligjshme, duke respektuar standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të sigurojnë që ky ligj të mos ketë kufizime të tepruara që cenojnë lirinë e mediave në Kosovë. /Kosova.info/

Go to TOP