IKD: Neni për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kundërkushtetues

Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka prezantuar raportin “Integriteti i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, duke theksuar se neni 40 i projektligjit për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit, Avancimin dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ku përcaktohen kushtet kur një gjyqtar dhe prokuror mund të shkarkohen nga detyra, është në kundërshtim me Kushtetutën.

“IKD ka gjetur se Neni 40 i projektligjit ku përcaktohen kushtet kur një gjyqtar dhe një prokuror mund të shkarkohen nga detyra, janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht nenin 104.4 dhe nenit 109.6, ngase në këtë projektligj për shkarkim të gjyqtarëve dhe prokurorëve është caktuar kriteri edhe “nëse vërtetohet së kanë pasuri të pajustifikueshme”, kusht ky që me Kushtetutë nuk parashihet”, ka theksuar hulumtuesi Astrit Kolaj.

Sipas tij , Instituti i Kosovës për Drejtësi rekomandon fshirjen e këtij neni.

Kolaj ka theksuar se edhe në Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit, Avancimin dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ministria e Drejtësisë është referuar në draft-amendamente të cilat ende nuk janë miratuar, pasi është vendosur kontrolli i pasurisë së pajustifikueshme si pjesë e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kolaj ka theksuar se Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka analizuar këtë Projektligj, ka përgatitë komente me të gjeturat dhe i ka dërguar të organet kompetente me kërkesë që të njëjtat të adresohen.

Go to TOP