Ismet Munishi nis përgatitjet me Prishtinën, paralajmëron ardhje të tjera

Prishtina ka bërë të ditur se ka nisur përgatitjet për edicionin e ri që starton në muajin gusht.

“Nën disiplinë të madhe, punë me shumë seriozitet e angazhim maksimal, batuta të herë pas hershme dhe dëshirë për te ardhur në stërvitje, tash e disa ditë FC Prishtina me kryetrajnerin e ri, Ismet Munishi, i ka nisur përgatitjet për edicionin e ri që starton në muajin gusht”, thuhet në njoftimin e tyre.

Faza e parë e përgatitjeve po kryhet në kryeqytet derisa po shfrytëzohet për stërvitje tartanin i stadiumit “Fadil Vokrri” si dhe kompleksi i klubit në Bërnicë.

“Skuadra po përgatitet nga dy herë në ditë dhe transferet e reja janë përshtatur shumë mirë me grupin ndërsa për fat të mirë, asnjë futbollist nuk ka shfaqur probleme fizike dhe ndonjë lëndim deri më tash”.

Munishi me ndihmësit e tij, Debatik Curri, Armend Simnica dhe trajnerin e portierëve, Ahmet Becelica kanë inkuadruar në ekipin e parë edhe disa lojtarë nga skuadra e juniorëve, të cilët po tregojnë vullnet për punë dhe përkushtim maksimal.

Skuadra e Prishtinës që sivjet e feston 100-vjetorin e themelit si klub, duket krejtësisht ndryshe në ditët e para te përgatitjeve.

Endrit Baholli, Mërgim Pefqeli, Besir Ramadani, Ramiz Bytyqi, Marclei Santos, Egzon Bislimi, Gentrit Dumani, Muhamed Useini, Butrit Bulliqi dhe Ardi Ajdini janë lojtarët që deri më tash i janë bashkuar edhe zyrtarisht “bardhekaltërve”, mirëpo kryesia e klubit nuk e ka mbyllur “kuletën” me ç’rast në ditët në vijim do të prezantohen edhe ardhje të reja në ekip.

Go to TOP