Identiteti kombëtar dhe bindja fetare nuk mbrohen duke reflektuar negativisht kundrejt tjetrit, por duke dhënë dashuri

Shkruan: Lekë MRIJAJ

Zotëri Blerim Nika,

Fjala është e lirë, por kur ajo kthehet në paragjykim apo gjykim për tjetrin, sidomos mbi ndërgjegjen dhe besimin, ajo kërkon edhe përgjegjësi. Sepse nuk po flasim për një debat të zakonshëm, por për diçka shumë më të thellë: për identitetin e përgjithshëm, për historinë dhe për shpirtin e një kombi që ka mbijetuar aty ku shumë të tjerë janë shuar.

Ju i quani “hipokritë” ata të krishterë katolikë që urojnë Bajramin. Por a e dini se çfarë është në të vërtetë ky gjest? Nuk është as dorëzim, as mohim i vetvetes. Është një akt kulture dhe qytetërimi, një shenjë e një tradite vëllazërore që nuk është ndërtuar mbi urrejtje, por mbi një ekuilibër të rrallë historik, të cilin ne shqiptarët katolikë e kemi ruajtur me mund, me gjak dhe me sakrifica për mbi dy mijë vjet.

Ky popull nuk ka lindur dje. Ne nuk jemi një ndërgjegje e përkohshme që lëkundet sipas erërave të kohës. Ne jemi bij të një historie që ka parë perandori të ngrihen e të bien, që ka përballuar pushtime, dhunë, imponime dhe përpjekje të panumërta për t’u zhdukur si identitet – dhe megjithatë kemi mbetur këtu, të njëjtë në thelb: shqiptarë.

Të krishterët katolikë të këtij vendi (në Kosovë e Shqipëri), për të cilët ju flisni me aq lehtësi, janë ndër ata që për shekuj të tërë mbajtën gjallë jo vetëm besimin, por edhe gjuhën, kulturën dhe vetëdijen kombëtare. Ata nuk u zhdukën, nuk u tretën, nuk u dorëzuan – por qëndruan. Dhe pikërisht sepse qëndruan, sot ne flasim për identitet.

Por edhe ata që ndryshuan besim në rrjedhat e historisë nuk pushuan së qeni shqiptarë. Kjo është madhështia jonë: ne nuk e ndërtuam kombin mbi përjashtimin, por mbi një bashkëjetesë që është më e vjetër se çdo debat i sotëm.

Prandaj, kur një i krishterë katolik uron një mysliman për festën e tij, ai nuk po tradhton. Ai po vazhdon një traditë shekullore shqiptare – atë të respektit, të fqinjësisë dhe të dinjitetit njerëzor. Ai nuk po përkulet, por po qëndron më lart, sepse e di kush është dhe nuk ka frikë nga tjetri.

Hipokrizia nuk është në urim. Hipokrizia lind kur njeriu e shpall veten mbrojtës të identitetit, por përçan, përbuz dhe gjykon të tjerët – gjë që nuk e mëson as feja e Krishtit, e cila na thërret të japim sa më shumë dashuri. Nuk është madhështi të përjashtosh, por të përfshish. Nuk është forcë të ofendosh, por të ndërtosh.

Ju flisni për “kauza” dhe “rikthime”. Por historia dhe feja katolike nuk ndërtohen me fyerje, as me ndarje artificiale midis shqiptarëve dhe njerëzve të tjerë vullnetmirë. Ato ndërtohen me vetëdije, me kulturë dhe me respekt për atë që jemi si popull – një popull që ka ditur të jetojë me dallimet, pa e humbur kurrë thelbin e vet.

Ne, si shqiptarë katolikë, nuk kemi mbijetuar për mbi dy mijë vjet duke reflektuar negativisht ndaj njëri-tjetrit, as duke u urryer për festat e njëri-tjetrit. Kemi mbijetuar sepse kemi ditur të jemi më të mëdhenj se dallimet tona dhe të ruajmë një ekuilibër që rrallë gjendet në historinë e popujve.

Dhe kjo është ajo që ju nuk duhet ta harroni: identiteti kombëtar dhe bindja fetare nuk mbrohen duke reflektuar negativisht, por duke dhënë dashuri.

Sepse në fund, një komb nuk qëndron mbi ndarje, por mbi dinjitet.


Go to TOP