ICG ndryshon raportin: KFOR-i nuk negocioi me serbët e armatosur në Banjskë

Në raportin fillestar të kësaj organizate, thuhej se KFOR-i negocioi me sulmuesit serbë për t’u tërhequr nga Banjska pas sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Të martën kjo pjesë është shlyer në raport, me pretendimin se ishte gabim. Kjo pjesë u përmend edhe në një draftraport në Asamblenë Parlamentare të NATO-s më 24 maj në Sofje, për çka nxiti reagimin e KFOR-it

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG) e ka ndryshuar të martën një pjesë të tekstit nga raportit “Ballkani Perëndimor: Sfidat e reja të sigurisë në pragun e NATO-s”. 
Në këtë raport të publikuar më 2 prill, ishte shkruar fillimisht se zyrtarë të KFOR-it kanë negociuar për tërheqjen e një pjese të grupit të sulmuesve të armatosur serbë në Banjskë më 24 shtator 2023, kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku. 

Në tekstin e ndryshuar më 28 maj, thuhet se “gabimisht” është cekur se KFOR-i ka negociuar tërheqjen e grupit të armatosur serb nga Banjska.

“Teksti është përditësuar më 28 maj 2024. Versioni origjinal i këtij raporti kishte cekur gabimisht se personeli i KFOR-it kishte negociuar për tërheqjen e grupit të serbëve të armatosur nga rrethimi në Banjskë”, thuhet në tekstin e përditësuar. 

Pjesë nga ky raport u përmendën edhe në një draftraport të prezantuar gjatë fundjavës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. E kjo nxiti reagimin e KFOR-it. Në reagimin e këtij misioni të NATO-s në Kosovë, të dielën, thuhet se kjo nuk është e vërtetë, pasi “në asnjë moment nuk është i përfshirë në negociatat e supozuara”.

“Pasi u ftua për të përforcuar praninë e tij, KFOR-i është koordinuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të rivendusur sigurinë në zonë. Dhuna që ndodhi në Banjskë erdhi pas një sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në maj të 2023-s, i cili rezultoi në plagosjen e 93 pjesëtarëve të personelit të KFOR-it, disa prej të cilëve pësuan lëndime të rënda”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Fundjavën që shkoi dhe të hënën, në Sofje u mblodh Asambleja Parlamentare e NATO-s. Aty, ndër të tjera Kosovës iu avancua statusi nga vëshguese në anëtare të asociuar.

E gjatë punimeve,  Mark Lancaster, raportues në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në draftraportin që e prezantoi më 25 maj në sesion pranveror, përfshiu edhe pjesë të raportit të  Grupit Ndërkombëtar të Krizave, ku thuhej se KFOR-i negocioi me sulmuesit serbë për të ikur maleve pas sulmit në Banjskë. 

“Pas një periudhe të shkurtër të depërshkallëzimit gjatë verës, në shtator të 2023-s, rreth 30 burra të armatosur u përplasën me policinë në Banjskë në veri të Kosovës dhe u barrikaduan brenda manastirit ortodoks serb, në atë që rezultoi me një rrethim që la të vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues. Zyrtarë të KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës së mbetur të grupit në malet përreth, nëpërmjet të cilave ata u zhdukën. Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra luftëtarë të tjerë po fshiheshin në malet mes Banjskës dhe kufirit me Serbinë si dhe se kanë zbuluar arsenal të madh të armëve, me kapacitet për të shkaktuar dëm dhe viktima të konsiderueshme – duke përfshirë lansues raketash anti-tank, lansues mortajash dhe granatash, mina anti-tank dhe 24 automjete (një e blinduar)”, thuhet raportin fillestar të ICG-së, tashmë të përditësuar.

Lordi Mark Lancaster, përfaqësues nga Mbretëria e Bashkuar, në asamble ka kërkuar që aleatët të konsultohen lidhur me statusin e Kosovës në këtë mekanizëm.

“Aleatët duhet të përdorin korniza konsultative për të avancuar çështjen lidhur me statusin e Kosovës. Ata që nuk e njohin statusin e Kosovës, mund të mendojnë pjesëmarrjen e Kosovës në NATO dhe në partneritetin për paqe”, ka thënë Lancaster më 25 maj.

Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori Milan Radoiçiq, deri në atë kohë nënkryetar i Listës Serbe. Në operacionin që pasoi, u vranë tre sulmues serbë dhe u konfiskua armatim e pajisje ushtarake në vlerë mbi 5 milionë euro, sipas Policisë së Kosovës.

Shtetet perëndimore e kanë dënuar sulmin e serbëve në Banjskë, e shumë prej tyre e kanë quajtur terrorist.

Go to TOP